Xhevat Latifi, fitues i “Takimeve Poetike të Karadakut – 2019” (FOTO)

Kumanovë, 11.3.2019 – Me ngjyra të larmishme poetike nga mbarë trojet tona, edhe këtë 11 mars jehoi poezia shqipe në qendër të qytetit të Kumanovës në edicionin e 27-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut”. 

Mbrëmja letrare u moderua nga doktori i filozofisë dhe sociologjisë, Sunaj Raimi, i cili në hapje të manifestimit u shpreh: “Sonte jemi mbledhur sërish bashkë për t’i dëshmuar muzave të Apolonit, atyre mbrojtësve të krijimtarisë shpirtërore, që të vazhdojnë t’i mbështesin dhe frymëzojnë poetët tanë”.

Ndërsa, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, Sevdail Demiri, tha se tanimë qe 27 vjet me radhë, ky klub është një nga kultivueset më të denja të kulturës, artit dhe të traditës shqiptare në këto anë. “Ne si klub shquhemi për nga tradita. Një ditë më pare kishim një aktivitet ku shënuam 110 – vjetorin e Klubit Shqiptar të Kumanovës, i cili ishte klubi i parë, shkolla, vatra e parë e arsimit shqip në këto treva, me në krye Jashar Erebarën. Ne themi se aty e kemi bazamentin e arsimit, kulturës shqiptare këtu në Kumanovë me rrethinë, por që e kemi vazhduar pastaj edhe përmes Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” dhe aktiviteteve tjera”, potencoi Demiri.

Orën e madhe letrare e hapi poeti preshevar Mexhid Mehmeti, për të vazhduar më tej me poezitë e poetëve: Mimoza Erebara, Dami Iljazi, Isak Ahmeti, Rakela Zoga, Sarë Gjergji, Bilall Maliqi, Bejtush Memeti, Fatos Rushiti, Alketa Spahiu, Eroll Veliu, Hysen Kqiku,  Rabije Bytyqi, Arben Ibrahimi, Xhemë Karadaku, Demush Berisha, Behram Hoti, Selajdin Shabani, Rexhep Abazi, Nazmi Beqiri, Ismajl Baftjari, Sunaj Raimi, Rrahim Ganiu, Rexhep Bajrami, Xhevat Latifi, Adriatik Zeqiri, Ismail Bilalli, Avni Shaqiri, Arta Selmani dhe Ali Qerimi.

Një pjesë e poetëve lexuan jashtë konkurencës, ndërsa juria në përbërje: Ejup Ajdini, Burhanedin Xhemaili dhe Ismail Ganiu, i ndanë tre çmimet e para “Fadil Bekteshi”. Kështu, vendi i parë iu nda poetit gjilanas Xhevat Latifi për poezinë “Triptik për Kumanovën”, vendi i dytë poetit kumanovar Fatos Rushiti për poezinë “Grisje e imja”, dhe vendi i tretë poetes korçare Rakela Yzeiri – Zoga për poezinë “Përgjysëm shi”.

Të gjitha poezitë e orës letrare, sikurse edhe punimet e tryezës shkencore “110-vjetori i Klubit Shqiptar të Kumanovës”, do të botohen në numrin e radhës të revistës “Doruntina” (56), organ i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.

Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, ndërsa pjesërisht mbështetet edhe nga komunat e Likovës dhe Kumanovës.   

Komente