U promovua libri i Nazmi Beqirit: “Rrugëtimi drejt luftës për paqe”

libri nbShkup, 26 dhjetor – Dje në amfiteatrin e UEJL, u bë promovimi i librit “Rruga drejt luftës për paqe” me autor Mr. Nazmi Beqiri. Librin në fjalë, të cilin e kishte botuar “Instituti për studime strategjike dhe ndërkombëtare” e prezentuan dhe për të folën një numër panelistësh të nderuar ndërsa me gjithë promovimin udhëhoqi Profesor Doktor Ylber Sela.
Profesor Sela, duke folur për librin përveç tjerash iu bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në luftën e vitit 2001 që sa më parë të shkruajnë për këtë ngjarje të madhe duke kujtuar vetë ndodhitë dhe duke prezentuar ato nga dora e parë.
Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Komunës së Çairit z. Izet Mexhiti i cili tha se lufta e vitit 2001 ka qenë njëra prej luftërave më të drejta dhe ngjarja e cila shënoi një kthesë të madhe për shqiptarët e Maqedonisë, një ngjarje e cila solli Marrëveshjen e Ohrit dhe si rezultat i saj u themelua Komuna e parë urbane shqiptare e Shkupit, Komuna e Çairit.
Pastaj për librin folën edhe recenzentët, Dr. Sadri Ramabaja dhe Dr. Bekim Maksuti të cilët apostrofuan vlerën e saj jo vetëm historike por duke theksuar edhe dimensionin e saj politik.
Në fund të këtij manifestrimi, para një opinion të gjërë të përfaqësuesve të jetës politike, intelektuale e qytetare të Shkupit, Kumanovës dhe më gjërë, foli autori i librit, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Mr. Nazmi Beqiri.
Duke folur për veprën e tij të fundit, zoti Beqiri theksoi rëndësinë e luftës së shqiptarëve për të drejtat e tyre ndërsa nuk la pa përmend edhe fragmente të librit të cilat reflektojnë nderin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e djemve e vajzave të reja të cilët gjatë vitit 2001 kishin sakrifikuar çdo gjë për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme. /Zhurnal.mk/
libri nb1

Komente