“Takimet Poetike të Karadakut 2014”, fitues Memeti, Rashkaj dhe Gjergji

bejtsKumanovë, 12.03.2014 – Të martën në mbrëmje më 11 mars, në Kumanovë u mbajt edicioni i 22-të me radhë i manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut 2014”. Me këtë aktivitet, Klubi i shkrimtarëve shqiptarë ‘Jehona e Karadakut’ nga Kumanova, me gjithë vështirësitë e sferave të ndryshme, po e vazhdon traditën e vet dhjetëravjeçare, për të shfaqur dhe prezantuar vlerat shpirtërore, artistike dhe kulturore të kësaj ane, përmes artit të bukur poetik.
Në manifestimin e sivjetshëm morën pjesë shumë poetë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare, si Tirana, Prishtina, Shkupi, Gjirokastra, Mitrovica, Prizreni, Viti, Gjilani, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Tetova, Kumanova, etj.
Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të Kumanovës, Sevdail Demiri, tha se ‘Jehona e Karadakut’ është një emër që daton 40 vjet më parë, pra në vitin 1974, kur në kuadër të gjimnazit të Kumanovës, një grup profesorësh dhe nxënësish të talentuar në fushën e letërsisë, formuan grupin letrar me këtë emër. “Në fillet e pluralizmit, në vitin 1991, disa artdashës, të gdhendur me idenë fisnike të zhvillimit e përparimit kulturor të kësaj shoqërie, themeluan Klubin e Shkrimtarëve Shqiptarë të Kumanovës ‘Jehona e Karadakut’. Në krye të klubit u vu shkrimtari Fadil Bekteshi, për të renditur më pas një varg veprash dhe suksesesh. U themelua revista e parë e pavarur shqiptare në Maqedoni për art, shkencë dhe kulturë “Doruntina”, dhe prej atëherë e deri më sot janë botuar dhjetëra e qindra libra mjaft me vlerë nga anëtarët e klubit”, tha Demiri.
Në hyrje të Orës së madhe letrare, aktivisti dhe poeti Rexhep Abazi, solli me fyell tingujt e Medvegjës. Më pas, poeti dhe studiuesi i letërsisë, Nehas Sopaj, shpalli të hapura “Takimet Poetike të Karadakut 2014”, që më pas të paraqiten me poezitë e tyre: Qazim Shehu, Hysen Këqiku, Avni Dehari, Kozeta Zavalani, Bejtush Memeti, Shefqete Gosalci, Demir Gjergji, Flora Peci, Rexhep Abazi, Qazim Muska, Sarë Gjergji, Rrahim Ganiu, Ismail Baftjari, Drita Nikoliqi–Binaj, Bilall Maliqi, Nazmi Beqiri, Ali Qerimi, Nehat Ramizi, Arben Rashkaj, Sadije Aliti, Fadil Curri, Burhanedin Xhemaili, Ismail Bilalli, Sunaj Raimi, Demush Berisha, Shezair Koko, Ismail Ganiu, Rexhep Bajrami, Fatos Rushiti, Selajdin Shabani, Mahir Ademi, Arsim Jonuzi dhe Saranda Halili.
Juria letrare, e përbërë nga Qazim Shehu, Shefqete Gosalci dhe Fatos Rushiti, ndau çmimet letrare “Fadil Bekteshi”, me emrin e kryetarit të parë të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”. Në mesin e shumë poezive të suksesshme, çmimi i parë iu nda poetit Bejtush Memeti nga Kumanova, çmimi i dytë poetit Arben Rashkaj nga Prizreni dhe çmimi i tretë poetit Demir Gjergji nga Tirana.
Në kuadër të manifestimit, u promovuan edhe botimet e reja të anëtarëve të Klubit të shkrimtarëve shqiptarë të Kumanovës: Nazmi Beqiri (“Drejt përjetësisë”), Burhanedin Xhemaili (“Ëndrra e zgjuar brenda syve”) dhe Sevdail Demiri (“Kufiri i horrave”). Për këto libra folën recensentët dhe u lexuan pjesë të librave nga aktori dhe poeti Ali Qerimi.
Manifestimi “Takimet Poetike të Karadakut”, daton që nga marsi i vitit 1992, në kujtim të demonstratave të rinisë studentore të 1981-shit në Kosovë dhe gjithë dëshmorëve të kombit.
Nga Shërbimi për informim

Komente