“Sofra e librit” në Kullën e Kadri Zekës në Dardanë

Aktiviteti kulturor “Sofra e librit” në Kullën e Kadri Zekës në Poliçkë të Dardanës, filloi sivjet (23.4.2016), në Ditën Ndërkombëtare të Librit, me uratën për të mos u ndalur kurrë.
Një vend i veçantë frymëzimi, simbol i qëndresës dhe flijimit për liri…
Të ftuar nga Klubi Letrar “Nositi”, me në krye z.Nexhat Rexha, në mesin e shumë mysafirëve, prezantuam edhe ne nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova: Sevdail Demiri (kryetar), Selajdin Shabani (sekretar) dhe Burhanedin Xhemaili (kryeredaktor i revistës “Doruntina”).

Ndryshe, manifestimin e hapi shkrimtari Nexhat Rexha, kryetar i klubit letrar “Nositi”, i cili në cilësinë e nikoqirit i përshëndeti të pranishmit dhe i tha disa fjalë për librin dhe për heroin Kadri Zeka.
Dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës e lexoi një punim në të cilin i analizoi poezitë e disa poetëve dhe këngëtarëve kushtuar Kadri Zekës, duke i thënë disa fjalë edhe për krijimtarinë publicistike dhe intelektuale të këtij atdhetari, ndër më të shquarit.
Sabit Rrustemi, shkrimtar i njohur, iniciator i këtij manifestimi, e lexoi një punim për librin, për rëndësinë e tij, për historikun e shpalljes së Ditës Ndërkombëtare të librit … duke mos lënë pa përmendur se institucionet tona nuk janë duke investuar sa do të duhej të investonin për librin.
Pas kësaj filloi ora letrare, gjatë së cilës poezitë e tyre i lexuan poetë nga qytetet e ndryshme të Kosovës, nga Maqedonia dhe nga Kosova Lindore. Poezi lexuan shkrimtarët: Rushit Ramabaja, Burhanedin Xhemaili, Nebih Bunjaku, Sevdail Demiri, Shefqete Gosalci, Xheladin Mjeku, Arsim Halili, Selajdin Shabani, Mehmetali Rexhepi, Sinan Sadiku, Sulejman Dërmaku, Izet Avdyli, Ramadan Mehmeti, Baki Krasniqi, Musa Ahmetaj, Begzad Baliu, Avni Dehari, Bajram Kallaba dhe Zamira Rexhepaj.
Në manifestim morën pjesë familjarë të heroit Kadri Zeka, pastaj shkrimtarë, personalitete të kulturës, të shkencës, të arsimit, të politikës. Tubimin e moderoi për mrekulli poetesha e re Zamira Rexhepaj. /Sinan Sadiku/

s111sels555