Shënimi i 40 vjetorit të veprimtarisë letrare të Nehas Sopajt

ns1Kumanovë, 06.12.2013 – Sot në Kumanovë, në organizim të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, para një numri të madh të dashamirëve të artit, letërsisë dhe kulturës shqiptare, u shënua 40 vjetori i botimit të veprave të para letrare të autorit Nehas Sopaj. Bëhet fjalë për përmbledhjet poetike “Këngët e blerta” në Shkup dhe “Algjet” në Prishtinë (1973), të cilat u vlerësuan lartë nga kritika letrare e kohës, duke u prezantuar nëpër antologji të ndryshme të poezisë në vend dhe jashtë.
Fillimisht, kryetari i klubit, Sevdail Demiri, theksoi se Nehas Sopaj është një nga emrat më të veçantë të letërsisë shqipe, i cili gjatë këtyre 40 viteve të veprimtarisë letrare, na ka ofruar rreth 40 tituj të veprave nga zhanre të ndryshme, duke filluar nga poezia, tregimet, novelat, romanet, përkthimet, librat shkollore dhe studime letrare.
Poeti Fatos Rushiti, para publikut lexoi biografinë e autorit dhe deklamoi vargje nga poezia e zgjedhur bashkëkohore e Sopajt.
Më tej, shkrimtari Burhanedin Xhemaili, paraqiti një vështrim kritik më të hollësishëm për veprat letrare të Nehas Sopajt. “Autori me tërë këtë opus letrar dhe me këto përzgjedhje shënon kulmin e arritjes estetike në vlerat e poezisë shqipe në përgjithësi, dhe në krijimin e individualitetit të tij letrar në veçanti, si botë poetike më vete që dallon prej krijuesve të tjerë të afirmuar”, u shpreh Xhemaili.
Më pas, autori Nehas Sopaj, shprehu falënderimet e tij për nderimin e bërë, duke rikujtuar kohën kur si 19 vjeçar kishte shpërthyer bota e tij artistike, me botimin e dy përmbledhjeve të lartpërmendura, të cilat atë e kishin radhitur në mesin e poetëve më premtues të kohës.
Në emër të kryesisë së Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, kryetari Sevdail Demiri, ndau Mirënjohje për Prof.Dr. Nehas Sopaj, poet, shkrimtar, pedagog e studiues i letërsisë, me rastin e 40 vjetorit të botimit të veprave të para autoriale.
Manifestimin e përshëndeti edhe shkrimtari nga Shkupi Fadil Curri, i cili e vlerësoi lartë veprën letrare të Sopajt, duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë, me dëshirën që edhe shumë vepra tjera letrare dhe shkencore t’ia dhurojë letërsisë shqiptare.

Shërbimi për informim

ns2ns3

Komente