QAZIM SHEHU – Tiranë: “Tre gurë të shqipes”

u2_Qazimi-foto-1

 

(Vlerësim letrar për tre poetë të Kumanovës: Burhanedin Xhemali, Sevdail Demiri dhe Fatos Rushiti)

Tre poetët e Kumanovës janë tre gurë kilometrikë në këtë skaj të largët të trojeve etnike, tre emra që e vlejnë të diskutohen e të merren në konsideratë nga mediume letrare për peshën e kulluar të fjalës shqipe. Kanë të përbashkët dramacitetin e këtyre rojeve historike ku frymon fjala shqipe dhe pastërtia elegante e mikpritjes shqiptare e paprekur nga erërat e huaja, po kanë të veçantë secili fjalën e vet. Janë tre gurë kilometrikë po njëkohësisht tre gurë të çmuar në kurorën e trojeve shqiptare. Fatosin e njihja me kohë, ndërsa Burhanedinin dhe Sevdailin i njoha kur mora pjesë në takimin e shkëlqyer poetik të klubit “Jehona e Karadakut”. Edhe pse shkoja për herë të parë, m`u bë se kisha shkuar shpesh, natyrshëm brenda afërsisë që krijojnë vetiu poetët, po edhe nga thjeshtësia e tyre, rrezatimi i komunikimit të tyre brilant, mjedisi rrezatues i një fjale artistike, begenisja dhe afërsia e tyre e jashtëzakonshme.

BURHANEDIN XHEMALI

Burhanedini është një krijues serioz, i cili që moti e ka lëvruar poezinë, dramën prozën, tregimin dhe romanin. Pra, është një krijues kompleks, me një përvojë të mirë që ka ardhur gjithnjë duke e pasuruar fjalën dhe duke e mprehur shijen e saj. Në librin e fundit: ”Ëndrra zgjuar brenda syve” ai mbetet një poet i shqetësimit  dhe vërshimit të ndjenjave pa iu larguar kauzës së etnisë.

Titulli i librit e mbart një simbolikë të hollë dhe shërben për pasurimin e imazheve që vijnë duke zgjeruar rrathët e tyre jo si rrathë danteskë po si rrezet e diellit. Në poezinë e tij folësi lirik e pasuron dhe tejçon në vibrime të holla shqetësimin etnopsikologjik, bëhet bartës dhe interpret i historisë, i vetes, ndërgjegjes kombëtare, po njëkohësisht edhe i spikamës lirike në ndjesi të holla. Vargu i tij i lirshëm u ngjan trandjeve të mëdha që paralajmërojnë shpërthime dhe dëshirë për një liri më të madhe.

Në këtë poezi shkrihen vizionet me njëra tjetrën dhe marrin formë e jetësohen shpresa të mëdha. Sepse poeti do thotë: ”Në këtë botë të pështjelluar,/vështirë të gjendesh brenda rrethit magjik../”.Siç do ta vejë re studiuesi Bilal Maliqi nga Presheva se kemi të bëjmë me një poet me imagjinatë të bujshme krijuese, unë do të shtoja se buja e imagjinatës përcillet rreth vlimeve shpirtërore të cilat klasifikohen natyrshëm brenda një mendimi të pjekur dhe një spontaniteti të këndshëm.

Teksa i lexon vargjet e Burhanedinit bindesh për efektin ngazëllyes të fjalës e cila konturon zërin e tij, profilin krijues të një autori që mban gjallë fjalën shqipe në këto troje jo thjesht si fjalë, po si fjalë që vjen dhe gjen nivelet e shprehjes autentike përmes dridhmës së shpirtit dhe thagmës krijuese, në paradigma vetanake.

Në poezinë e tij shprehet gjithnjë një ndjesi e kuptueshme larg sforcës dhe mashtrimit  po brenda trillit kohor dhe hapësinor, pikërisht aty ku e ka vatrën ëndrra në sytë e zgjuar të shqiptarit, atëherë kur gjaku i dëshmorëve dhe i kohërave të reja me erë të mbarë hoqi klonet dhe ndalesat makabre të diktaturave shoviniste.

Nëntekstet kuptohen përmes një fjale të thjeshtë domethënëse plot kuptimësi dhe larmi të shpërhapjes së fjalës poetike. Burhanedin Xhemaili është një poet i çliruar nga çdo kompleks, i vërtetë si vetë vendlindja e tij zakonmirë, si vetë Kumanova e dashur brenda teatrit të një treve të përcaktuar për të vuajtur po edhe për të luftuar për të drejta natyrale.

Nga poezia e tij përftohet një afeksion i mirë, një ndjenjë që të mbush me shqiptarizëm që reflekton kohërat dhe individin me një etiketim të qartë. Në poezinë e tij ai u vë përballë hijeve diellin e zemrës shqiptare dhe hijet turfullojnë, por poeti i godet me shigjeta e mençurisë së vet prej një artisti të fjalës.


SEVDAIL DEMIRI

Sevdail Demiri aktualisht është kryetar i klubit letrar “Jehona e Karadakut”. Në pamjen e tij përzihen intelekti me brishtësinë e në djali evropian. Është nga ata djem që i përket të sotmes si premisë dhe ardhmërisë si siguri. Libri i tij me poezi: ”Kufiri i horrave” është libri i katërt. Po  në librin e tij përzihet brishtësia me forcën, konkretja me përgjithësinë, thjeshtësia e fjalës me thellësinë e saj, poezia e tij rrjedh dhe ëmbëlson me pamjet e gjëra të identiteti ashtu si fushat e Kumanovës për të arritur lartësinë e maleve përreth. ”Në skaje të atdheut / ku damarët gjakosin pikën e fundit / shqiptarisht / era e lirisë vjen nga larg /dhe mbush me shpresë bronket e lirisë/”, shprehet ai në librin e tij të ri.

Vargje të tilla të bukura dhe mbresëlënëse ne mund të ndeshim në gjithë vëllimin e tij ku spikat ideja e lirisë dhe ndjenja e poetit që e rrethon atë me shprese që e çerdhëson atë. Për kënaqësi mund të vijojmë me vargje të tilla: ”Natë e gjatë në Karadak,/qyqet lozin mbi Gurin e Shqipes… / aty ku dikur kishte rrugë e parmak /sot ka veç thera dhe politikë të ditës…/”

E shohim në poezinë e Sevdailit që ai di të ndërtojë simbole me një mjeshtëri të hollë, simbole që marrin përfytyrime gjithëkohore e na krijojnë mundësi të meditojmë gjatë për to. Sevdaili e vendos fjalën në vendin e vet, jo duke e menduar po fjala tek ai vjen pas një mendimi të pjekur ndonëse është relativisht i ri.

Duke qenë me origjinë nga Depca e Karadakut të Preshevës-Gjilanit, ai e di mirë lojën tragjike me këto troje të vyera shqiptare, po kështu ai është i vetëdijesuar mbi gjuhën, sepse gjuha shqipe si një gjuhë e lashtë i mbajti këta njerëz të jenë konservativë në zakonet dhe porosinë e të parëve.

Poezia e tij i sjell dukshëm këto, me një prizëm ndjesor të hapur e të përthyer përmes kujtesës, ëndrrës, besimit, vlera të panjollosura të qenësisë. Poezia e Sevdailit ma solli që në leximin e parë këtë mendim, larg çdo konfrontimi të përkundërt, ajo mbetet një poezi e tonaliteteve të qeta ku flet gjithnjë arsyetimi dramatik i kohërave që ndërthuren përmes fatit historik të shqiptarit që jeton moçëm në këto troje.

Andaj edhe titulli “Kufiri i horrave” është një titull sa i zakonshëm aq edhe emblematik, një titull i cili shkon në hullinë e brengës e trimërimit për ta shembur atë. Vargjet e tij i qëndrojnë këtij tonaliteti imponues kur ai do shprehet: ”Kujtimin e vrarë për një kohë të trishtë,/ma lidh në fyt, më vret në gurmaz…/”.

Poezia e Sevdailit thuret bukur, thjesht e me hove djaloshare, ajo është krejtësisht e tij, larg çdo ndikimi apo ngjashmërie, mbetet një poezi e deduksionit, që vjen aty për aty, përmes detajit zbërthyes të kohës dhe individit.

Është një lloj poezie e cila mbrun liri, prosperitet, besim në ecje, është poezia e një poeti të Kumanovës që injekton shpresë e muzikon një ndjenjë të besueshme grimcuar nga një ajër i pastër lirie. Si poezi e nivelit të mirë artistik ajo e identifikon autorin kërkues ndaj fjalës poetike, po ku fjala poetike nuk merret me zhbirime të një meditacioni shterp, përkundrazi ajo përvijon mundësitë e depërtimeve në një botë sa konkrete aq virtuale etnopsikologjike.

Ashtu si Burhanedini, ai ia përkushton fjalën e vet poetike një populli të tërë, fatit të tij kolektiv duke e ndjerë veten jo thjeshtë si pjesë soditëse po të njëjtësuar. Kështu kuptohet tek ky poet një mision njerëzor, jashtë retorikës bërtitëse apo patetikës së thatë që do të kumbojë përmes sloganit. Poezia e tij edhe kur kap tema dhe motive intime i thur himn lirisë dhe bukurisë njerëzore, duke mbetur kështu një poezi e rrjedhshme plot finesë dhe veçanti.


FATOS RUSHITI

Fatos Rushiti është një poet me metafizikë të zhvilluar, e gjithë poezia e tij, thënë edhe herë tjetër, e mbart qenien njerëzore në përmasat e një dashurie të vrullshme, dashuri për femrën dhe të bukurën estetike. Ai është një poet që e kërkon dimensionin e lirisë së qenies në modernitetin e shprehjes duke i thyer imazhet në qëllime të largëta dhe njëkohësisht duke na afruar një botë sa të largët aq edhe të prekshme. Fjala poetike e Rushitit ngulitet përmes thënieve të mençura plot kumbime dhe befasira të këndshme.

Ka botuar vëllimin “Në Elirë” dhe ka në proces dy vëllime të tjera. Aktualisht punon dhe vepron në Kumanovë, por është një poet i gjithëgjendshëm dhe me njohje ndër poetë të tjerë. Poezia e Rushitit ka bërë shumë miq sepse vetë vargu i tij afron dhe shpreh imazhe të një dashurie dhe mundimi të thukët.

Nëse poezia e Sevdailit dhe Burhanedinit është më afër trollit, poezia e Fatosit e shpreh ankthin e trollit në një prirje që zgjerohet në kuptimet ekzistenciale të individit në tërësi. Kështu ai shënjon fakte dhe trillon rreth tyre duke iu qasur bukurisë fizike të femrës po edhe përjetimeve trullosëse të kësaj bukurie, duke kërkuar kuptime që rrjedhin përmes arsyetimeve që diskordohen në një shfaqje të lirë të imazheve rrjedhëse.

Fatosi plotëson dy të parët ashtu si edhe dy të parët mëvetësohen nga njëri tjetri duke sjellë një pasurim vlerash motivore po edhe teknike të të shprehurit poetik në letërsinë shqipe të Kumanovës.

Njohja me poetët e Kumanovës është një befasi e këndshme dhe përherë e merituar për ta zgjeruar këtë njohje, për të rritur sa më shumë të jetë e mundur intensitetin e ndërkëmbimit të mesazheve të fjalës në këtë kohë shpejtësish, ku komoditeti i arritjes i skualifikon distancat e mallit dhe keqkuptimet. Po, njohja me ta, përcjell edhe një brengë të natyrshme, kur kujtojmë trojet tona ende të ndara e që atje mbahen ende nga rrënjët e fjalës shqipe.

Komuniteti i shkrimtarëve të Kumanovës me përpjekje e organizon një manifestim letrar  shembull sakrifice dhe dashurie, shembull integrimi brendashqiptar, gjë të cilat nuk e bëjnë qendra më të rëndësishme të trojeve tona etnike. Por po të mos jenë këta poetë – në mungesë të informacionit, të tjerë i njoh pak – vështirë se do të bëhej ky manifestim, ku gurgullon fjala e ngrohtë, nervi i fjalës poetike me atmosferë miqësie e dashurie. Dhe, këta tre poetë rrinë si tre sogjetarë tek Guri i Shqipes, ata me fjalën e tyre na mësojnë, sot e gjithë ditën, se vetëm trimëria guximi, atdhedashuria e përpjekja e vazhdueshme për të mos humbur identitetin e bëjnë poetin poet. Dhe identiteti nuk humb në një trevë me rrënjë të lashta në histori…

*Botuar në: Zemra shqiptare, Lajm, Aktuale, etj.

 

Komente