Promovohet trilogjia e autorit Avni Dehari: “Gjergjat në drita përkrenaresh” 

Kumanovë, 30.11.2018 – Në këtë nëntor festimesh anembanë trojeve shqiptare, sot u mblodhëm në Kumanovë, për të kujtuar kryeheroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përmes një eventi të veçantë.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, shkrimtari dhe bashkëvendasi ynë, Avni Dehari, përmes penës së tij, na e solli Skënderbeun në një trajtë krejt tjetër – përmes trilogjisë së titulluar “Gjergjat në drita përkrenaresh”, ku bëjnë pjesë romanet për fëmijë: “Dragoi“, “Udhëkryqi” dhe “Flakadanët e lirisë“, botuar nga Shtëpia Botuese “Orfeu” në Prishtinë.
Për veprat folën:
-Shkrimtari dhe teoricieni i letërsisë, dr. Nehas Sopaj;
-Shkrimtari nga Kosova, miku i Kumanovës, z. Nebih Bunjaku;
-Shkrimtari nga Kosova, redaktor dhe botues, z.Rushit Ramabaja;
-Autori prof. Avni Dehari.
Në cilësinë e bashkëorganizatorëve të promovimit, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” (Sevdail Demiri – kryetar), dhe Shtëpia Botuese “Idriz Seferi” (Sevim Ahmeti – drejtor), i ndanë mirënjohje prof. Avni Deharit, për kontributin e dhënë në procese të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dhe në zhvillimin e arsimit, gjuhës, letërsisë dhe librit shqip.
Kori komunal i Komunës së Likovës “Zejadin Ismaili”, nën udhëheqjen e Florim Zulfiut, në hyrje interpretoi Himnin e flamurit, ndërsa në mbyllje këngën premierë kushtuar heroit të kombit, Ismet Jashari – Komandant Kumanova, me titull “Flamur me emër”.

Komente