

Çmimi “Fadil Bekteshi” – Vendi i parë
MAJLINDA NANA-RAMA:
“VAJZËS SË PALINDUR”
Sonte, në flokët e tu, paska shumë heshtje.
fytyra ime bie erë së largu frymën tënde.
Mes nesh, ngjizur harta mallesh, mbuluar nga
distanca kilometrike,
ti – vazhdon të derdhesh lumë në gjakun tim.
Ti fle!
Të zgjoj çdo ditë, të pajetë në shtratin tim,
e, pas çdo zgjimi, më fshihesh pas cijatjes së erës,
pastaj era, e ngopur me ty, kërruset nëpër
flokët e mi.
Xhan!
Ti noton në ujin tim që më bëhet breg,
unë, me lutjen e bimës sate, shkel në bregun që
bëhet ujë.
Mbi ty, më kalojnë pranvera të paçelura,
unë, urat e tua hedh përmes trupit tim.
Ti, ojnë!
Lule-bijëz, që banon në mua,
unë, lot i paterur, që banoj në trupa grash.
Ti më sheh, tek u thith helmin zeher derdhur nga zërat
ata zëra, që ua ndërtojnë nga e para çdo dhimbje.
Hyj e dëbohem në kurme grash,
ti, hyrë e pa dalë në trupin tim.
Po, ç’grua qenkam unë,
që të mbaj me vete e s’mund të të zbres në tokë
nga frika se të nëpërkëmbin
nëpër duar, nëpër gojë;
nga frika se s’ta ruaj dot të paprishur
trëndafilin e buzëve.
(ç’sy që paske, bijë!)
Bijo, kot mërzitesh me mua!
Ja, edhe shoqet e tua që linden
bëjnë të ecin, krahë për krahë me fluturat,
por s’qeshin kurrë.
S’qeshin dot
kur prekin grinë e tokës
e dritën e ndotur,
se ajri në grushtin e tyre nuk qëndron;
ato s’e shohin dot atë,
e mbeten në dëshirën e vazhdueshme:
të prekin pak ajër të ndershëm,
ta kapin e t’ia dhurojnë
çdo të dytës shoqe bashkëmoshatare.
Bija ime!
Këtu gria përqafon çdo ditë,
pa krye, pa fund,
e aq pa fund e krye,
se qenka kohë qafë e sythyer,
një e nga një
po na mbledh në lamtumirën e yjeve,
e çastet e tua
s’mund të bëhen çaste të vjedhura prej saj,
se unë vdes pastaj!
Me copat e tua të vockla
kam ndërtuar mijëra vajza të tjera,
i kam thurur prej kënaqësish të vogla.
Kaq munda…
Sa t’u qepja në ballë nga një yll,
që të mos ua lija mbrëmjet të errëta.
Migrova nëpër to
e u dhashë nga pak engjëj, sa për fat,
të kenë mundësi t’i ikin furtunës vrastare,
në duar ua kam vënë perin tënd të fluturimit,
për ta endur vetë ëndrrën e tyre.
Mos më shih trishtueshëm!
Gjuhët e prillit janë më të zjarrta se më parë,
se prilli është më i gënjeshtërt,
e nuk është e lehtë të mbash mbi supe
qiellin e tij ngarkuar me rè.
Shiun dymbëdhjetë muajsh
që mbajta mbi vete,
nuk doja ta mbaje edhe ti,
se ish i rëndë.
E vogla ime!
Në gjumin tim qenia jote zmadhohet,
bëhet e madhe,
si një vullkan që rrit shpërthimin e tij.
Në mëngjeset e tua
i shkund gjithë dashuritë e mia.
E parritura ime e pambërritur!
Të paardhurit nuk janë si të vdekurit;
të vdekurit i mbërthen mali i ndërgjegjes,
të paardhurit janë të panisur,
ata janë udhëtarë të vetes,
dëshiruar në adhurim tërë jetën.
Kopja ime e munguar,
sa do doja të të njihja!
——————————————————————–
Çmimi “Fadil Bekteshi” – Vendi i dytë
FEHMI AJVAZI:
“HIRI MBI GJAKUN E SHENJTË”
Drita u shkym ngadalë mbi qytetet e gurta, plotë shenja mitike
Erdhi ndryshimi madh në tokë e qiell, zotrat ikën në harrim
Si gjethe pemësh në vjeshtë kokat ranë, trupat vdiqën n’beteja
Barbarë, kalorës e judë, me zjarre erdhën – me zjarre shkuan
Askush nuk mund ta ndalte përmbysjen, lulet u grinë – u thanë
Nënat në robnesha u shndërruan, çikat në konkubina e lavire
Zotrat ikën me frikë, dritat u shkymën mbi tempuj e shkronja
U përmbys liria, rrëmuja në qytetërim u kthye e në epikë
S’mbeti pergamenë, kurorë as ligj mbi tokën e Adamit
U gjakos drita e qiellit dhe fytyra e gurtë e Priamit
Të gjithë nga lindë e perëndon, nga frynë e bubullon erdhën
Me shpata e kode të mbrapshta vranë zotrat, njerëzit, librat
Qytetet dhe lulet i dogjën, fiset, mbretërit dhe tempujt ilirikë
Adoptuan, plaçkitën, e fshehën shtat pash nën dhe shpirtin tim
Eva u syrgjynos, Adami u baltos, mallkimi mbuloi tokë e qiell
Hi, vetëm hi kokash, trupash e fjalësh të gjymtuara historia
Shekuj e mileniume mbi gjakun e shenjtë ranë me rrëmujë
Kurrë s’u ringjall drita që pret kamjen, e guri që pret dorën tonë
Ne jemi kujtesa e hershme njerëzore, dhe fytyra e zotrave mbi tokë…
——————————————————————–
Çmimi “Fadil Bekteshi” – Vendi i tretë
NAZMI BEQIRI – KUMANOVË
“EH PROMETHE”
Hej – hej, Promethe, Promethe, zjarr e dritë për Atdhe
Kemi një Zot një mot një gëzim një lot
Thanë se të lidhën për mur për gur këmbë e duar
Ai Zeusi, ai mësuesi, ai pusi
Si atin e vet, kishte dashur të t’vret.
I freskët, me mend, në këtë vend u lidha vet
Dhe këndova, vuajta, u gëzova, gjeri sa gjëmova
E vullkan ndriçova, u lava e u pastrova,
Nga tuta, nga ca lesh, ca minj, viça e desh
Dhe fala, mëshirova, u pajtova dhe paqësova
Në garanci të 11 marsit grykëzjarrëshin e njëpasnjëtë n’pakufi,
Që ua kalli datën, matën e satën, bukëshkalëve.
Krenarinë, përgjegjësinë e këtë fitore, që do jetoj prore
E lash në duar të bashkëvëllezërve tanë
Abilit, Kabilit, Bilbilit e Stiksit.
Po shkrryhen, lyhen, përqafohen e po ledhatohen
Por kjo ndjellje nga “dreqërit”, s’po u ngjallë kënaqësi
Sytë u mbetën tek unë dhe te ti
Hej-hej, tek unë e jo te ti, – se
Ti nuk ke fëmijë e miqësi, e as këtë botë
Me katandi, me tekmil e me lot.
Ti, ku di ç’është vuajtja e heka
Mëlçinë ta hanin shpendët e jo vëllezërit që ceka
Ti je djalë e burrë vet e s’ke, kë ta çosh në kurbet.
Andaj Promethe, ec e mos thuaj se ke ngec
E ndash hakmerru, e ndash kënaqu, sa s’të ka ra fleta, -se
Ti nuk ke pasur shokë: Flamurin, Martinin, Nysretin e Gurin
Që i kishin dalë zot vendit e kuvendit, luftëtarëve e të parëve
Dhe mbetën pa shtëpi, pa tapi, pa katandi, por jo pa burrëri.
Po ku ke pas ti shokë: Zahirin, Ademin e Xhevatin
minjve, varret ua hapnin, që t’i kapin
Ani ti, po më ditke çka është krenari, vuajtje e hekë?
Hajt, jepe atë sekret e lirohu, se mua s’më ka mbet
Shqiptarinë e dua të tërë e të krejt
Por si Sharri, do qëndroj për mot e jetë
Ngase, nuk konkurroj, nuk vrapoj, nuk garoj
Nuk yshtem, nuk xhelozoj, nuk smiroj e nuk lakmoj
S’mund të më joshin as zanat e sirenat e motit, -e
Le ma laviret e sodit pa bark e brinjë e pa dashni
Se kam një dashnore, pa çka se e trash, e vogël, e dy me tri
Që me mua qëndroi në zjarr, në katran, maj maleve e në hi
Më lindi shumë kreshnikë, halime, bobullina e selvi
E kur më qesh, e më fol në vesh, dhe më dërgon
Atje ku pos gëzimit s’arrin as vuajtja as loti
Ku s’na mërdhijnë polet e s’na djegin vullkanet
Se feston vet Zoti.
Ec Promethe e shko në papërgjegjësi
Se zjarrin e mbroj unë e jo ti
Aii, ec ec, se, ty të përjetësoi i verbëri, këngëtar qorri e koti
E jo Zoti, Hyji, Thoti e Moti
Mos më thuaj bre: e arsyeshme është për lirim ta godas vetën
Le që gjymtyrët e organet, por më dhimbset edhe vet thoi, -se
Jam biri, prindi, luftëtari, poeti, legjenda, heroi e kroi.
——————————————————————–
Likovë, 11.3.2018