

Poezia që fitoi Çmimin e parë në edicionin e 25-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”:
Linditë Ramushi-Dushku
VJESHTËS SË DEHUR
Ti erdhe dikur
si kjo vjeshtë e kuqërremtë
për t’u bërë vlimi i dashurisë
dhe shije e verës së kuqe
në vjeshtën e përvitshme
që rrisim brenda vetës çdo fije lumturie.
Erdhëm të dy dikur
vjeshtës
si dy zogj shtigjesh të largëta
për të takuar
dy stinët e ngrohta të shpirtit.
Pastaj,
të dehur pafundësisht
dehim gjithçka për rreth
Çdo vjeshtë kuqërremet nga ardhja jonë
çdo vjeshtë dehet
dhe kullohet djersësh
siç i shkrihemi ne dashurisë sonë.
Papandehur ia lëmë fajin kësaj stine
që nis e deh veten.
~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~
Poezia që fitoi Çmimin e dytë në edicionin e 25-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”:
Lola Shehi
RRËFIM…
Përse mendohesh, baba!
Ç`peng të ka mbetur
Të ka mbetur peng, që nuk u bëra aktore?
Që në skenë nuk më pe të luaja asnjë rol?
Kaq shumë e dëshiroje një rol timin?
Mos u brengos, baba!
Po të rrëfehem:
Kam luajtur shumë role,
Vetëm në një skenë…
Vetëm ti s`ke mundur të më shohësh
Asnjëherë nuk e pata një karrige të lirë
Kurrë nuk t`a rezervova një biletë
Nuk të kam dashur spektator baba, e kupton?
Dhe a e di pse?
Sepse….
Kam kënduar
Kur kam dashur të qaj
Kam buzëqeshur,
Kur kam dashur të ulërij,
Kam thënë jam e fortë,
Kur gjunjët s`më mbanin,
Kam ecur me trupin drejt,
Kur shpina po më këputej,
Kam ecur majë takash,
Kur doja të ecja zbathur,
Që guralecët e rrugës,
Të më hapnin plagë nën këmbë,
Se vetëm kështu baba…
Nuk do t`i ndjeja dhimbjet e zemrës…
Ja, t`u rrëfeva!
E sheh baba?
Jam aktore klasi!
Aktroj para teje,
Aktroj para gjithë botës…
Luaj disa role njëherësh,
Pa skenarë, pa regjisorë,
Qaj, këndoj, luaj muzikë
Me partiturat e pashkruara të shpirtit.
Mos më mbaj peng BABA
T`u rrëfeva….
~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~
Poezia që fitoi Çmimin e tretë në edicionin e 25-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”:
Selajdin Shabani
TË KAM THËNË NËPËR MOTE
Të kam thënë Lajdins!
Se kemi nga pak dëshirë
Të vjedhim ëndrra
Sepse tonat sikur i kemi ndrydhur e çoroditur.
Të kam thënë Lajdins!
Se kemi ëndje pak si shumë të gënjejmë
Dhe të ecim rrugëve e kafeneve
E të shkëlqejmë si engjëj.
Të kam thënë shumë herë Lajdins!
Se jemi të dashuruar në vetvete
Por, kjo s’po na sjell as rrugëtimin e pafund
dhe kjo s’po më pëlqen.
Të kam pas thënë, Lajdins
se jeta është PËRRALLË,
por, TI, nganjëherë, ngashënjeheshe, jo rrallë.
Të kam pas thënë, Lajdins,
se jeta është LOJË,
Që nuk e fiton dot kurrë,
por, TI vazhdojë ta luaje
si me letrat e bixhozit.
Të kam pas thënë, Lajdins
se Jeta është UJË :
Që gjithnjë lagesh e nuk teresh kurrë,
por TI gjithnjë mbete URË.
Të kam pas thënë, Lajdins
se jeta është KËNGË,
që e këndoje,
Edhe pse zëri s’të shkonte,
Ti prapë vazhdoje:
HERË I HESHTUR, E HERË REBEL.
Të kam pas thënë, Lajdins
se TI jep më shumë në jetë,
por nuk merr fare,
apo merr sa për sy e faqe ose hiq fare,
por, TI prapë vazhdoje pa rrugëdalje.
Të kam pas thënë Lajdins, se jeta është për të tjerët,
se ti ishe dhe mbete REBEL,
se, TI, ec -ec si uji,
dhe mbetesh në rrugë
e në vend ngel si moçal.
Të kam pas thënë Lajdins, se jeta është
Si një gotë qelqi që lehtë thyhet
Nga mund të shihet nëpër mote.
Të kam pas thënë dhe po të them përsëri Lajdins
Se jeta është hipokrite,
Herë pa sheqer, herë pa cipë, herë bajate e herë-herë pa fije kripe,
Por TI vazhdoje të sfidoje
Të kam pas thënë Lajdins se jeta është si cigare,
Por, TI vazhdoje ta thithje prapë pa taketuke…
~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~
Poezia që fitoi Çmimin e tretë në edicionin e 25-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”:
Adriatik Zeqiri
MËKAT
Jashtë qentë lehin..
Piskamë e tyre mbytshëm pihet e përftohet
Shohim njëri tjetrin në sy brenda
Në gotat kristal ngrihet besimi dhe dëshira,
Zjarr dhe pasion
Që një kohë mëkatarësh na e mbolli në gjoks.
Shtrirje e gjakim
Si lulet skaj një trotuari shetitoreje
Ne të vetëm
Brenda …si hije,
Relike të një momenti në përsëritje,
Të një etjeje sindrom,
Dhimbje e përjetshme…
Mëkatin e zanafillës ngarkuar
Si gur Sizifi në supe
Jashtë qentë po lehin,
Në qafë kanë të varur mollë!
~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~ ~
Poezi e lexuar në edicionin e 25-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut – 2017”, dhe e përzgjedhur për botim në revistën “Doruntina”:
Xhevat Latifi
ËSHTË NATË, AGIM RAMADANI
Është natë Agim Ramadani.
Yjet po bien një nga një.
Para këmbëve tua duken të gjithë të vegjël, të tretur.
Një këmbë burri rri i ngrirë mbi një gur-kufiri t’shkulur!
Çfarë të them për kufirin e Kosharës? Është bartur në Çakorr!
Në parlament një grup cubash mbajnë peng demokracinë,
seancë pas seance, marrin ca lekë të zhubrosura
si harta etnisë që po tkurret.
Po thonë se Evropa ka kërkuar nga ne
me kanë pikëepesë…
Është natë, Agim Ramadani!
Çdo ngjyrë e mbetur në penelin tënd
ka pak t’kuqe të Onufrit me sfond flamuri.
Flamuri që sot është verdh’
me e ba blu, si oqean Paqësor.
Në veri të Kosovës “Francuska 7”, ka në sirtarë një plumb të fjetur
me u zgjue ku fryn veriu e Moskës i duket i ngushtë shtrati!
Mban mend ca miq na folën për poezinë, për artin?
Sot janë në politikë .
Atdheun e kanë bo fushë të ikjes
Pasha ty, Atdheu i ka po ato ngjyra të mira,
por ia pshtjelluen mozaikun!
Në Sytë e Simonidës vunë thëngjij të djegur,
derdhën temjan me vaj të zi,
shpirtin e bardhë ia vunë në letargji.
Është natë Agim Ramadani!
(sall sytë e tu kanë dritë!)
Atdheun e vodhën,e shanë!
Heronjtë e rremë po i bëjnë prej balte!
Karadakut e Fushës së mëllenjave këmishë e ngushtë po i zë frymën
Unë vjedh ca dritë të hanës më shkrue vjershën për Kumanovën,
për asimilimin e shqiptarëve në Manastirin ku u banë shkronjat!
janē lëshue perde mjegulle.
Po dojnë me ba natë dritën tande !
Natë është Komandant dhe kam turp me qa!
Me ik nuk mundem pa të thënë:
Fëmijët në gurin tand të shkuljes së kufirit, vënë dorën në zemër.
Thonë agimi e ka shkye kufirin dhe ka shkulë këtë gurë!
Në lapidarin tënd, sytë bajnë dritë që verbojnë ata që fallso vënë kurora lulesh!
Nata i ka hy Atdheut si uji ndërkambë perandorëve t ‘trembur…
Është natë kapedan,sa natë!
bëmë gabim të madh që nuk kuptuam shkëlqimin tënd
E tash kaq shumë kemi nevojë për dritën e një agimi të ri…
XL Mars 2017