Poezi nga Selajdin Shabani

sel

TË KAM THËNË NË PRANVERË

 

Të kam thënë

se PRANVERA mund të vijë më herët

NDONJËHERË,

E NDONJËHERË mund të vijë më vonë, të kam thënë,

Por asnjëherë,

Kur ti e pret kohën dhe beharin e saj.

PRANVERA do të vij

Edhe me një lule

Edhe me stinën e shpresës

Edhe me prushin e ndrydhur në vetvete

Me MARSIN lajmëtar.

Të kam thënë se

PRANVERA do të vijë më nder

Në derë të hapur apo të mbyllur

Ajo përherë do të vijë si një NUSE E RE.

Të kam thënë se PRANVERA do të vijë me kujtimin

Për studentët,

Për Jasharajt,

Me natën e zjarreve pa kufij,

Me frymëzimet,

Me ndjenjën e bashkimit,

dhe PRANVERA erdhi me DASHURINË

dhe ËNDRRËN e saj.

 

VRULL

Vjen rrallë,

befas,

si një valë

Në shpirtin tim

dhe mbetesh si një njalë,

e unë, jo i vonuar

bëhem si djalë.

Kur  vjen

gjumi s`më merr

As me net të tëra

E unë në jetë

Sa këndshëm në dukje

Aq vrull në brendi

Çaste agonie me vrer

E kur ik,

Ik me natje

Dhe kthehesh me stinë

Si në Prishtinë.


JAM DHEMBJE

Jam dhembje

Edhe kur jam zgjuar,

Kur flejë,

ëndërroj,

dashuroj,

këndoj,

e shkruaj,

edhe kur do heshttë,

e kur do vdes

prapë do mbetem DHEMBJE.

Jeta ime,

e ndalur për një moment,

e ndjej,

e shoh por s`kam fuqi ta ndal:

As dhembjen,

As kohën.


ËNDRRA

Sa shumë shoh ëndrra:

në mëngjes – asnjë në mbamendje.

Ato përsëri vijnë, herë pas here si copëza kristali.

E kur ndërpriten ëndrrat,

Ndalet edhe jeta.

Nuk tretem,

Me kohën.

Aq shumë ëndrra:

më shumë të trishtimit

se të gëzimit.

Nuk mbaj mend as edhe një

për deshifrim,

apo rrallë ndonjë fragment.

Pse nuk mbaj mend ëndrrat

të cilat i shoh

në përsëritje,

atëherë,

pse ëndërroj.

 

MALLKIM

Deri kur mallkim

Mes vete!?

Pse mallkim,

Gjaku im!

Mallkim çasti

një shekull

e shumë gjenerata

për të ardhur në vete.

Mallkim vitesh

Milenium përpjekjesh

Për të nisur sërish

Rrugën nga e para

Mallkim që përcjell

Koha në kohë.

Komente