Poeti Burhanedin Xhemaili, fitues i “Takimeve Poetike të Karadakut – 2021”

Kumanovë, 11.03.2021 – Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, sot zhvilloi edicionin e XXIX-të të manifestimit tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, i cili nga viti në vit po krijon një reputacion të respektuar në komunitetin tonë kulturor.

Kryetari i klubit, Fatos Rushiti, duke ju uruar mirëseardhje mysafirëve, theksoi sakrificën e idealistëve të parë të cilët në kushte jo shumë të favorshme, para gati tri dekadave, themeluan këtë klub, për të renditur një varg veprash dhe suksesesh deri në ditët e sotme.

Më pas nën drejtimin e poetit Ali Qerimi, u mbajt Ora e madhe letrare, ku morën pjesë poetë të shumtë nga vendi dhe rajoni, si: Ejup Ajdini, Ismail Baftjari, Burhanedin Xhemaili, Gerta Bandilli, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Sarë Gjergji, Leonora Bruçaj Keka, Flora Peci, Farida Ramadani,  Marinela Sela, Sermet Sulejmani, Selvete Abdullahu, Arsim Halili, Ismail Ganiu, Rexhep Bajrami, Etem Xheladini, Selajdin Shabani, Sunaj Raimi, Adem Abdullahun, Arta Selmani, Shpresa Jashari, Emra Bilalli, Era Qerimi, etj.

Manifestimin e përshëndeti poetja dhe njëherësh kryetare e Këshillit të Komunës së Kumanovës, Atina Murgashanska.

Juria letrare në përbërje: Eris Rusi – kryetar, Daim Iljazi dhe Rabije Bytyqi – anëtarë, kishin vendosur që  vendin e parë me Çmimin “Fadil Bekteshi”, ta laureojnë shkrimtarin nga Kumanova Burhanedin Xhemaili me poezinë “Në ëndërr”, me vendin e dytë poetin Ejup Ajdini nga Tetova me poezinë “Lot gjaku nën dritën e hënës”, dhe me vendin e tretë poeten Leonora Bruçaj Keka nga Prishtina me poezinë “Vitor i andrrës t’eme”.

Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe promovimi i botimeve të fundit të KSH “Jehona e Karadakut”, për të cilat në pika të shkurtra foli promotori – redaktori i tyre Sevdail Demiri. Konkretisht u promovuan: revista “Doruntina” (nr .58-59), libri “Kulla jonë” (Panoramë e poezisë kumanovare), “Përtej heshtjes” (poezi) nga Selajdin Shabani, dhe libri “Aforizma pragmatik” nga Sunaj Raimi. Poashtu u promovua edhe libri autorial – trilogjia “Vallja e vdekjes së verdhë” nga Nehas Sopaj, për të cilin një recension e paraqiti kritiku letrar Burhanedin Xhemaili.

Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht nga komunat e Kumanovës dhe Likovës.

Komente