Për ne

Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, është nga të parat shoqata joqeveritare shqiptare në Maqedoni, e cila pandërprerë po funksionon gati tri dekada me radhë.

Konkretisht, më 28 qershor 1992, një grup artdashësish, të gdhendur me idenë fisnike të zhvillimit e përparimit kulturor të kësaj shoqërie, të porsadalë nga sistemi i njëmendimësisë, themeluan Klubin e Shkrimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, i cili më vonë u pagëzua “Jehona e Karadakut”. Në krye të klubit u vu shkrimtari Fadil Bekteshi, për të renditur më pas një varg veprash dhe suksesesh.

Menjëherë pas klubit, u themelua edhe revista e parë e pavarur shqiptare në Maqedoni për letërsi, shkencë dhe kulturë “Doruntina”, dhe nisi rrugën manifestimi tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, i cili nga viti në vit krijoi një reputacion të respektuar në komunitetin tonë kulturor.

Më pas Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” u drejtua nga shkrimtarët: Bejtush Memeti (1998-2002), Burhanedin Xhemaili (2002-2012), Sevdail Demiri (29.01.2012  – 02.02.2020), kurse  prej 2 shkurtit 2020 me këtë Klub udhëheq Fatos Rushiti.

Festivali i poezisë shqipe në Kumanovë, “Takimet Poetike të Karadakut”, tradicionalisht, çdo 11 mars mbledh poetë të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, për të bashkëbiseduar e komuni-kuar mes vete, dhe për të kujtuar veprën e sakrificën sublime të rinisë studentore të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të kombit.

Në kuadër të këtij klubi, përpos revistës “Doruntina”, për çdo vit botohen libra të ndryshëm të sferës së letërsisë dhe kulturës shqiptare.

* * * * *
Kryetar: Fatos Rushiti
Nënkryetarë: Sunaj Raimi
Sekretar: 
Sevdail Demiri
Anëtarë të kryesisë: Burhanedin Xhemaili, Selajdin Shabani