“Pena ime” në Kumanovë, një festival inkurajues për penat e reja

Kumanovë, 16.11.2019 – Kumanova ka pasur dhe do të ketë traditë të krijojë dhe kultivojë talentin individual në muzikë, poezi, tregim, vizatim, pikturë grafikë, skulpturë, dramë, dhe lëmi tjera artistike. Kjo u dëshmua të shtunën në edicionin e dytë të manifestimit interdisiplinar “Pena ime”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kumanovës “Jehona e Karadakut”.

Artistit figurativ Muhamet Idrizi, i’u nda çmimi “Pena e Artë” për vizatim. Në lëmin e artit letrar, poetes nga Prizreni – Liridona Shehu iu nda çmimi “Pena e Artë – vendi i parë, poeti Emrah Bilalli mori vendin e dytë, dhe poeti Mahir Ademi vendin e tretë. Arta Selmanit iu nda çmimi “Pena e Artë” për tregim, ndërsa çmimin inkurajues për më të rinj e mori Erëza Zeqiri, në lëmin e poezisë.

Aktiviteti u pasurua edhe më shumë me koncertin solistik të këngëtares së re nga Kumanova, Arijana Jashari, e shoqëruar në piano nga artisti Shpëtim Mustafa. Mysafirë nderi ishte poeti Rrahim Ganiu, i cili ndau me artdashësit kumanovar pjesë nga jeta e tij letrare rinore dhe rrugëtimin e tij artistik për mbi 50 vite.

Drejtori i Festivalit “Pena ime”, Fatos Rushiti, njëherit dhe nënkryetar i KSh “Jehona Karadakut”, tha se ky manifestim në një të ardhme të afërt do të jetë ndërkombëtar me synimin kryesor të promovojë talentin individual në art dhe kulturë. “Ndërtimi profileve të qëndrueshme artistike, jo vetëm në trevat shqiptare të Maqedonisë, por edhe më gjerë, do të jetë një motiv më shumë për të rinjtë që mund të zgjedhin profesione tjera për të studiuar, por që ta kultivojnë letërsinë, artin figurativ, muzikën klasike dhe atë bashkëkohore”, tha Rushiti.

“Pena ime” është pjesë e projekteve vjetore interdisiplinare të mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Komente