Rizgjedhje e kryesisë së Klubit të Shkrimtarëve të Kumanovës

jk1

Informatë nga Kuvendi i 5-të zgjedhor

Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, të dielën, më 31.1.2016, prej ora 15.00, në lokalet e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” – Kumanovë, mbajti Kuvendin e 5-të zgjedhor.
Fillimisht, kryetari Sevdail Demiri paraqiti raport për punën katërvjeçare të Klubit, duke theksuar se përskaj shumë vështirësive, kryesisht të natyrës financiare si dhe mungesës së lokalit, gjatë kësaj periudhe është mbajtur kontinuiteti me të gjitha aktivitetet e parapara tradicionale. Kështu, janë realizuar në nivel të kënaqshëm “Takimet Poetike të Karadakut”, manifestime, tribuna e promovime librash, pjesëmarrje në aktivitete letrare në vend dhe rajon. Gjatë kësaj periudhe, Klubi ka realizuar gjithsej 17 botime, konkretisht 10 libra autoriale dhe 7 numra të revistës së pavarur për kulturë, art dhe shkencë “Doruntina”.
Pas miratimit të raportit, kryetari Demiri, për shkaqe subjektive paraqiti dorëheqjen dhe kërkoi që të lirohet nga obligimet e klubit dhe të zgjidhet një kryesi e re. Mirëpo, gati të gjithë kuvendarët e pranishëm insistuan që kjo kryesi të vazhdojë punën së paku edhe dy vite tjera. Kështu, u miratua vendimi për zgjedhjen e kryesisë në përbërje: Sevdail Demiri – kryetar, Selajdin Shabani – sekretar, Sunaj Raimi dhe Fatos Rushiti – nënkryetarë, Burhanedin Xhemaili – koordinator i aktiviteteve.
Me këtë rast u morën disa vendime, ndërsa me propozim të kryetarit, u formua një komision që do të merret me përgatitjen e monografisë së klubit me rastin e 25 vjetorit të themelimit. Ky komision do të përbëhet nga kryetarët e deritashëm: Bejtush Memeti, Burhanedin Xhemaili e Sevdail Demiri, si dhe në cilësinë e anëtarëve konsulentë: Arben Ibrahimi e Sunaj Raimi.
Kuvendi i mbylli punimet në ora 17:30.

jk2 jk3

Komente