“Kulla jonë”, një botim me vlerë në letërsinë shqiptare

Gusht 2020 – Klubi i Shkrimtarëve ”Jehona e Karadakut” nga Kumanova, doli me një botim të ri të rëndësishëm për letërsinë bashkëkohore dhe kulturën shqiptare në përgjithësi Maqedoninë e Veriut, me një panoramë të poezisë kumanovare shqipe të titulluar ”Kulla Jonë”, përgatitur nga Sevdail Demiri.

Ai në rrjetin social fcb shkroi: “Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me kolegët e nderuar të redaksisë: Bejtush Memeti, Burhanedin Xhemaili, Selajdin Shabani (Lajdins Habani) dhe Fatos Rushiti, arritëm që t’i portretizojmë në një vend 48 autorë të kësaj ane, një pjesë e të cilëve janë poetë të njohur mbarëkombëtarë. Të gjithë janë prezantuar veç e veç me disa nga poezitë e tyre më të mira, bio-bibliografi dhe fotografi. Si i tillë, ky libër paraqet një letërnjofim letrar të kësaj treve periferike të botës shqiptare, i cili do të duhej të jetë pjesë e të gjitha bibliotekave tona, si një trashëgimi kulturore – letrare e cila do të duhet të përcillet tek gjeneratat e reja”.

Përmbledhja hapet me poetin e ndjerë Asllan Selmani për të vazhduar më pas me shumë emra të njohur të penës kumanovare, si i ndjeri Fadil Bekteshi, kryetar i parë dhe njëri ndër themeluesit e këtij klubi, pastaj Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Mumin Zeqiri, Avni Dehari, Burhanedin Xhemaili, Nehat Jahiu, Zejnure Salihu, Arben Ibrahimi, Selajdin Shabani, deri tek më të rinjtë Kreshnik Sopaj e Arta Selmani.

Libri ka 260 faqe, me një dizajnim të mrekullueshëm nga mjeshtri Bekim Saliu, dhe është i përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të interesuarit, librin në fjalë mund ta gjejnë në Librarinë ABC në Kumanovë: https://www.facebook.com/abclibraryfcb/

Komente