Klubi i Shkrimtarëve të Kumanovës, sjell dy botime të reja

dy botimeKumanovë, 18.10.2014 – Të shtunën në Qendrën për Kulturë në Kumanovë, në prani të një numri të madh të dashamirëve të fjalësartistike, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, promovoi dy botimet e veta më të fundit. Bëhet fjalë për përmbledhjet poetike “Më shumë se Unë“ të autorit Selajdin Shabani, dhe “Sytë e Shqipërisë” të Fatos Rushitit.
Kryetari i klubit, Sevdail Demiri, tha se “me gjithë vështirësitë e natyrave të ndryshme, po mundohemi që herë-pas-here të sjellim nga një fllad kulturor në këto hapësira, ashtu siç janë edhe këto dy përmbledhje, që sot po i ofrohen publikut shqiptar”. Sipas Demirit, i cili foli edhe në cilësinë e redaktorit të librave, këto botime të reja të autorëve Shabani dhe Rushiti, dallohen cilësisht në realizimet e tyre artistike, për nga veçantitë që sjellin në letërsinë bashkëkohore shqipe, andaj vlejnë që të lexohen dhe komentohen kujdesshëm.
Më tej, për librin “Më shumë se Unë“ të autorit Selajdin Shabani, folën recensentët Fatos Rushiti dhe Ismail Ganiu, të cilët theksuan veçantinë e poezisë së Shabanit, e cila është një reflektim i drejtpërdrejtë i natyrës së tij të brendshme shpirtërore dhe artistike. “E gjithë poezia e tij, po aq sa ka mllef, ka dhe shpresë, po aq sa ka revoltë personale, ka dhe optimizëm për më tutje në jetë dhe në zhvillime shoqërore”, u shprehën recensentët.
Selajdin Shabani shkollën fillore dhe të mesme e ka mbaruar në Kumanovë, ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Për më shumë se një dekadë ka punuar gazetar nëpër disa media. Është autor i librave “Ndrydhje” (1999), “Mes stinëve të një gazetari” (2006), ”Përtej momentit” (2008), dhe i fundi ky që u promovua “Më shumë se Unë“.
Ndërsa, për veprën e Fatos Rushitit “Sytë e Shqipërisë”, recensenti Arben Ibrahimi, veç tjerash tha se, “autori nga përmbajtja e gamës së gjerë të poezive të shkruara, në bërthamën e tij artistike shpërfaqet si lirik i apostrofuar me një verifikacion që nuk përputhet shumë me traditën tonë letrare, ose me të ashtuquajturin varg popullor të përpunuar…”.
Autori Fatos Rushiti, shkollën fillore ka mbaruar në fshatin e lindjes Vaksincë, ndërsa Gjimnazin në Kumanovë. Është jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike në Universitetin e Prishtinës, tani doktorant për Gjyqësinë Kushtetuese në Universitetin Evropian të Tiranës. Është autor i këtyre përmbledhjeve poetike: ”Aurora e jetës” (1999), “Në elirë” (2007), dhe “Sytë e Shqipërisë” (2014). Është fitues i disa çmimeve letrare.
Ndryshe, gjatë promovimit, aktori Enver Halimi dhe nxënësja Teuta Ahmeti, recituan disa poezi të autorëve, kurse profesori i muzikës, Besnik Avdili, ekzekutoi disa pika muzikore në violinë dhe piano.
Këto dy botime letrare janë mundësuar me ndihmën financiare të Ministrisë së Kulturës.

Komente