Irena Gjoni fituese e çmimit “Pena e Flakës” në Gjilan

 juria

Gjilan, 30.01.2015 – Me Orën e madhe letrare dhe shpalljen e rezultateve të konkursit shpërblyes, në Gjilan ka përfunduar “Pena e Flakës”, që është njëra prej katër shtyllave kryesore të manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit”, që mbahet në këtë qytet prej 24 vitesh, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
Juria në përbërje Mehmetali Rexhepi, Sevdail Demiri e Fatmir Minguli, çmimin e Orës letrare ia ka ndarë poetes nga Saranda, Irena Gjoni, e cila u prezantua me poezinë “Ditë shpirti”…

-Përndryshe, në orën letrare, me punimet e tyre, të pabotuara, u paraqitën 35 poetë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës, Zejnepe Halili, Linditë Ramushi-Dushku, Eda Miri, Arsim Halili, Zeqir Fazliu, Rrahim Sadiku, Demir Behluli, Beqir Buzoku, Rexhep Abazi, Rabije Bytyqi, Sarë Gjergji, Sejdi Berisha, Zana Piraj dhe të tjerë.
Ndërkaq, juria tjetër, në përbërje Ibrahim Kadriu, Sadete Tërnava-Osmani dhe Hasan Bunjaku ka shpallur rezultatet e konkursit letrar shpërblyes në poezi dhe tregim.
Vendi i parë për poezi i takoi punimit “Kitara” (shifra: Kitara) që doli të jetë e autores Zejnepe Halili nga Tetova, vendi i dytë – poezisë “Shën Asht” (shifra: Poeti) me autor Sarë Gjergjin nga Vitia, kurse vendi i tretë i është ndarë poezisë “Përmasat e eklipsit” (shifra: Rikthimi), që doli të jetë e poetes Rabije Bytyqi nga Prizreni.
Për tregim janë dhënë këto çmime: vendi i parë – “Takimi me vrasësin tim” (shifra: Miku im), vendi i dytë – “Synimi ynë për të krijuar njeriun” (shifra: Krijuesi), vendi i tretë – “Pirgu i errësuar” (shifra: Pirgu). Nga punimet e shpërblyera në tregim, u deshifrua vetëm vendi i dytë, që doli të jetë Rrahim Sadiku nga Ferizaj.
Përndryshe, juria ka përzgjedhur për botim në revistën letrare “Agmia” 33 poezi, nga 112 sa kanë arritur në konkursin letrar shpërblyes si dhe 12 tregime, nga 29 sosh, sa ishte prurja e përgjithshme në këtë zhanër krijues.
Çmimin e orës letrare, fitues nga Saranda ia ka dorëzuar Bujar Hairi, drejtor për Kulturë. Gjoni ka qenë fituese e këtij çmimi edhe para dy vitesh.
Orën letrare, e cila është organizuar nga Njësia për Kulturë dhe Ars Clubi “Beqir Musliu” e ka udhëhequr Fatushe Haliti. /rajonipress/

 P.S. Nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, përpos kryetarit Sevdail Demiri si pjesë e jurisë profesionale, morën pjesë edhe poetët: Burhanedin Xhemaili, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani.

Komente