Fatos Rushiti, kryetar i ri i Klubit të Shkrimtarëve të Kumanovës

Kumanovë, 2.2.2020  – Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, sot në lokalet e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, mbajti Kuvendin e 6-të zgjedhor.

Fillimisht, kryetari i deritashëm, Sevdail Demiri, paraqiti raport për punën katërvjeçare, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe është ruajtur me përpikëri kontinuiteti i veprimit të Klubit, si dhe imazhi pozitiv i krijuar nga të gjithë anëtarët i tij në gati tri dekada me radhë. Janë mbajtur të gjitha edicionet e manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, në çdo 11 mars, shoqëruar me aktivitete përcjellëse (tribuna tematike, promovime librash, vizita), ku kanë marrë pjesë emra të njohur të letërsisë shqipe nga të gjitha trevat shqiptare, dhe janë shpërblyer poetët më të mirë me çmimin “Fadil Bekteshi”.

Në fushën e veprimtarisë botuese, nën siglën e Klubit janë realizuar gjithsej 12 botime (8 libra dhe 4 numra të revistës “Doruntina”), të financuara kryesisht nga Ministria e Kulturës.

Më tej, Demiri theksoi se kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me klubet simotra nga Gjilani, Vitia e Presheva, si dhe me shkrimtarë tjerë nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria, duke marrë pjesë në manifestimet e tyre, si dhe ata duke qenë pjesë e aktiviteteve tona. Në qershor të vitit 2018, e nisëm një aktivitet të ri të klubit, poashtu tradicional – manifestimi kulturor interdiciplinar për të rinj “Pena ime”, ku gërshetohen arti letrar, muzikor dhe ai figurativ.

Pas miratimit të raportit të punës së kryetarit Demiri, u kalua në pikën tjetër – zgjedhja e kryesisë së re të klubit. Pas një diskutimi konstruktiv nga të gjithë kuvendarët, u vendos që kryetar i ri i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, të zgjidhet poeti Fatos Rushiti – profesor universitar, i cili deri më tani ka qenë nënkryetar i klubit dhe mjaft aktiv në të gjitha aktivitetet e deritashme. Ndërsa, përpos kryetarit Rushiti, në kryesinë e re do të bëjnë pjesë: Sunaj Raimi – nënkryetar, Sevdail Demiri – sekretar, dhe Burhanedin Xhemaili e Selajdin Shabani – anëtarë. Poetja Arta Selmani, do të jetë koordinatore e aktiviteteve për të rinj.

Kuvendarët diskutuan për programin e ri zhvillimor të klubit, ku synohet të shtohen edhe aktivitete të reja, siç janë orët letrare nëpër shkolla, promovimi i individualiteteve letrare, etj.

Ndryshe, në punimet e Kuvendit të 6-të zgjedhor të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, morën pjesë shkrimtarët: Bejtush Memeti, Nehas Sopaj, Ismail Ganiu, Burhanedin Xhemaili, Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri, Fatos Rushiti dhe Arta Selmani.

Klubi i Shkrimtarëve të Kumanovës paraqet një ndër organizimet e para të shoqërisë demokratike shqiptare, dhe botuese e revistës së parë të pavarur letrare shqipe në Maqedoni “Doruntina”.

Komente