EJUP AJDINI: “Lot gjaku nën dritën e hënës” (vendi i dytë)

EJUP AJDINI

 

Lot gjaku nën dritën e hënës

 

Kam dhimbë për heroi im, si vëllai për vëllanë

Një natë u lave me gjak nën dritën e hënës

dasma e jote atë botë bëri jehonë e kushtrimit

bishën e madhe e fitove, patjetër e munde përballë

vetëm hëna t’i pa plagët tua  e të shokëve me radhë

nëna mbeti me  lotgjaku nën dritën  me hënë.

 

Gjigantët vriten me plumba të pabesë

jo nga bisha e madhe, por nga fisi pa farë

sot njëri vritet me të qeshur, tjetri me fjalë

kështu ne u tradhtuam keqas mes veti

dhe u vramë, u vramë vëllai me vëllanë

nëna mbetet me lotgjaku nën dritën me hënë.

 

Kam frikë nga mallkimi i nënës së dëshmorit

që lotët për ty Hero i ruan në vellon e bardhë…

mallkimi i saj është i rëndë sa një mal i lartë

ajo s’ka armë ta përzë këtë re të dendur e të rëndë

ruana Zot mos të na prek ndonjë ofshamë e nënës

kur ajo derdhën lotët me gjak nën dritën e hënës.

 

Më tremb edhe vaji i foshnjës kur qanë

kur rënkon për pak qumësht të ngrohtë

heroin e vet e ka të mëltuar nën dhe

mu për këtë, në lumin e gjatë nëpër mote

kambanat s’u heshtën, të “ lodhura”  i zinte nata

bashkë me lotët e nënës derdhur nën dritën me hënë.

 

Kalimtar të heshtur s’guxojmë të mbetemi,

edhe një shekull të na dëgjohen vetëm psherëtima

katarzëz sime nuk i duhen gota me helm nga bota

as urrejtje, që s’kemi ditur sa jemi urryer

dashni na duhet, s’kemi ditur sa jemi dashur pranë nënës

të pathara mbeten lotët e sajë nën dritën e hënës.

 

Ende nuk do të thahen lotët e përgjakura të nënës…

s’jetohet vetëm me gjysmë lire dhe me gjysmën e hënës.

na ruaj Zot nga mallkimi i foshnjës dhe loti me gjak i nanës

atdheu ka një shtrat, ku të gjalla lotët përplasen me mërzinë

me shekuj jetojmë bashkë duke kërkuar yjet nëpër terrin e natës

derisa të ndalet rënkimi i foshnjës dhe loti me gjak i nënës.

 

(Poezia e shpërblyer me vendin e dytë të Çmimit “Fadil Bekteshi”, në manifestimin letrar “Takimet Poetike të Karadakut” në Kumanovë, më 11 mars 2021)

 

 

Komente