

Shkup, 26 dhjetor – Dje në amfiteatrin e UEJL, u bë promovimi i librit “Rruga drejt luftës për paqe” me autor Mr. Nazmi Beqiri. Librin në fjalë, të cilin e kishte botuar “Instituti për studime strategjike dhe ndërkombëtare” e prezentuan dhe për të folën një numër panelistësh të nderuar ndërsa me gjithë promovimin udhëhoqi Profesor Doktor Ylber Sela.
Profesor Sela, duke folur për librin përveç tjerash iu bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në luftën e vitit 2001 që sa më parë të shkruajnë për këtë ngjarje të madhe duke kujtuar vetë ndodhitë dhe duke prezentuar ato nga dora e parë.
Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Komunës së Çairit z. Izet Mexhiti i cili tha se lufta e vitit 2001 ka qenë njëra prej luftërave më të drejta dhe ngjarja e cila shënoi një kthesë të madhe për shqiptarët e Maqedonisë, një ngjarje e cila solli Marrëveshjen e Ohrit dhe si rezultat i saj u themelua Komuna e parë urbane shqiptare e Shkupit, Komuna e Çairit.
Pastaj për librin folën edhe recenzentët, Dr. Sadri Ramabaja dhe Dr. Bekim Maksuti të cilët apostrofuan vlerën e saj jo vetëm historike por duke theksuar edhe dimensionin e saj politik.
Në fund të këtij manifestrimi, para një opinion të gjërë të përfaqësuesve të jetës politike, intelektuale e qytetare të Shkupit, Kumanovës dhe më gjërë, foli autori i librit, veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Mr. Nazmi Beqiri.
Duke folur për veprën e tij të fundit, zoti Beqiri theksoi rëndësinë e luftës së shqiptarëve për të drejtat e tyre ndërsa nuk la pa përmend edhe fragmente të librit të cilat reflektojnë nderin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e djemve e vajzave të reja të cilët gjatë vitit 2001 kishin sakrifikuar çdo gjë për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme. /Zhurnal.mk/
Sabit Rrustemi, Gjilan
Cikli poetik: “Nxora një shtresë zemre”
AI VARG JAM UNË
Vargu im niset dhe pa mua
për tek Ti
si trokitje e lehtë dite
si një puthje e ëmbël mëngjesi
Shpalos një ëndërr të re
tek drithërohet nëpër ty
universit pakufi
S’pyet në ka re në rigon shi
vjen e hyn brenda teje
si çdo dashuri
Ai varg i tëri jam unë
që prehje kërkon në tëndin gji
shpirti im i fshehur n’ Poezi
DERA RRI E HAPUR SI UNË
Dikur moti nga larg
të kundroja si një ëndërr
Më pas
trokita e hyra hapësirës sate
deri në zemër
Me vite pastaj
më gënjeu pritja
një shpresë në bebzë syri
Po vonë ish shumë vonë
për t’u nisur dhe njëherë nga fillimi
Në ëndrra të tjera
u përplasëm
si unë
si ti
Tash
të vetmen rrugë që m’ka mbetur
po e ecë
kësaj copë jete kah ajo shtëpi
rrëzë Çepurit
Kujt t’i duhem
mund të më kërkojë
kohë e pa kohë
Dera rri e hapur
si unë
PA MË T’VOGLËN FJALË
U ndërrua dita në mesnatë
Nuk ndjeva britmë
as gjëmë
Vetëm ora theu heshtjen e mbyllur
në xham
Një perde e gjumtë
sysh më ra
përpak nuk pashë
Brenda syve t’u isha
vetëm nuk të lashë
Pa më t’ voglën fjalë
veten time sall ta dhashë
E NUK U SHUAN
Nëpër pika
Vërshojnë pritjet
Mërzia
A do qëndrojë poezia
Unë do “heshtë” dhe në ëndrra
Po dashuria
A do shpallë ditë zie
Për ndjenjat e mia
Të fshehura
Dhimbjet e përndezura
Sa herë i qëlloi rrufeja
Dhe prapë
Prapë mbetën në mua
Mbi t’ lumen tokë
Gjëmëve të veta
E nuk u shuan
NË TË SOSURËN E NJË DITE
nata shtrihet përkohshëm
mbi sytë e lodhur të ditës
zbret mjegulla
ajo ngatërron shtegun e zemrës
sokaqeve qorre të qiellit
ndizen ndjenjat si yje
ai bredh me një yll në ballë
planetit që erret e herret
një loçkë zemre dëshirohet
përkohshëm kthehet dita
mbi ëndrrat e përlotura
jeta lanë mëkatet
Ç’ MUND TË TË OFROJ MË SHUMË
Zoti nuk thotë harroje
As Zemra
Një det ndjenjash qepet Çepurit
Po rruga përpjetë deri në Kodër
Shtigjet zik – zake i ka mbuluar dushku
Bari i ri
E paecura ime vonohet për pak
Ate që e dua në vete e ruaj
Edhe kur më ikën me mëngjes
Edhe kur më kthehet rrallë e përmallë
Përmes ndonjë ëndrreje
Lutjet nuk kryejnë punë më
Nëse nuk lëviz drejt teje
Më shkelë dhe kjo kohë
E dashur
Po e deshe malin qe ku jam
Po e lype detin qe ku e ke
Në shpirtin tim
Dhe mua të tërin
Diku thellësive të paprekura
Ç’ mund të të ofroj më shumë
Pos shpirtin tim
Të rinuar prej dashurie
PËRTEJ NJË VETËTIME
Shiu vërshoi
nëpër këpucët e mia të zeza
Qorapët e qullura më gostitën
me ngjyra të mbyllura
pjesëve të sipërme të këmbëve
thembrave
E unë trupoja rrugën para makinave
semaforëve të heshtur të lagur
zebrave të fshira të harruara
se Ti më prisje diku
përtej një vetëtime
syve përmallim
Këpucët po thahen në ballkon
dhe ngjyra e fituar gratis
u shly tashmë
Mbete vetëm Ti
qiell i kaltër dashurie
REÇETË E PËRDITSHME
Me lotin e ftohtë të pritjes
Laji faqet
Sytë
E vish rrobat e shpirtit
Shetitjen e mëngjesit
Bëje nëpër hartën e dashurisë
Nëpër secilën gjymtyrë
Kur të merr etja
Për freski mali
Kthe kah buzët e mia
Po pate kokëdhembje
Ftoje pllëmben përkëdhelëse
Që me prekje shëron
Mungesash mos u streho
Aty ku nuk jam
Mos më kërko
Hapit tim
Fjalës që çelë atë portë zemre
I beso
E DIELA E DASHURISË
Java jonë e jetës
Përmbyllet përherë
Me një ditë të dielë
Le të jetë kjo ditë e faljeve
Për mëkatet e bëra
Që nuk i themi
Ditë e lutjeve
Për ate që e duam
E nuk e kemi
Ditë e bekimeve
Për ate që e shijojmë thellë
Shtresave të paqta
Të zemrave
Deri në amshim
E dielë e dashurisë
Qoftë çdo ditë
ATY KU NUK U TAKUAM KURRË
( Ndjenja )
Pres të më lajmërohet
A këtu
Brenda e kam
Nuk po e shoh
Vetëm po e ndiej
Tek pulson me ritmet e zemrës
O Zot
Seç më drithëron
Ma vë para syve
Ta shoh
Ta prekë
Mes buzësh të saja
Dua të pushoj
Gjatë gjatë e pambarim
( Pritja )
Nuk ka orë që e mat prtijen
Përveç zemrës
Ajo shënon vonesën
Dhe atë trokitje
Aq të pritur
( Sytë )
Nuk i kemi
Sall për të ëndërruar
Ata digjen në pritje
Për ta parë atë
Që një jetë e ëndërruan
( Ëndërr )
As është këtu
As atje
Është zhytur thellë në pritje
Ajo dorë që shkundë
Këtë ëndërr
Tek Ti është
( Ecja )
Një jetë ecë
Kah vetja
E
Ende në fillim
Sa jetë më mjaftojnë
Për ta arritur njëherë
Atë që kam thellë
Në timin shpirt
( Caku )
Në cilën do pjesë të universit
Caku im je ti
Po e mbledh kohën e ikur
Përmes së tashmes
Që s’mjafton
Në kohën që vjen
Jam aty
Ku s’u takuam kurrë
—
DO TA HESHTË KËTË DHEMBJE
Si bimë e egër
mes plasave të gurit
sht(r)atin nis
Askush nuk i zgjatë duart për ta shkulë
për ta tërhequr zvarrë përmidis sheshit
këtë hajneshë të regjur
As dhe ti aromë e munguar e kësaj dite
buzëqeshje që kullon buzëve të mia
për këto dy drita
Kjo dhembje ka një emër
që s’ ia shqiptoj kurrë
Do të heshtë përballë saj
si ai dru i njomë
që përcëllohet në furrë
E dashur nëse pak më do
rri pak më larg këtij lumi
që po digjet si unë
MES MEJE DHE PRITJES
Pritja
një minut para të Dymbëdhjetës
ma hap portën
aty ku bota fshehur nëpër pjata
trazon muret
Hapat e mi ngatërrohen
parkut me gjethe
Në Dymbëdhjetë e një minut
hija ime rrëshqet mes gishtërinjëve të Pritjes
përtej udhës në pikëditë
Muret në heshtje
përbijnë gjuhën
Vetmia lëpinë pjatat
si ngjyra e vjeshtës
fytyrën time prej gjethi
Mes meje dhe Pritjes
dy minuta përbirojnë një shekull jetë
NJË PRUSH LOTSH
MBI F’TYRËN TIME ZBRET
( varianti II )
Pëlcet Kupë e Kaltër
prej zjarrmie
pëlcet
Prush i qielltë
mbi timen lëkurë derdhet
T’ kish qenë prush i buzëve tua
do ta duroja
pa siklet
Lisit me brenga
vetëm shenja e së djegures mbet
Një prush lotsh fytyrës sime zbret
SA E RE KJO ËNDËRR E LASHTË
Në Ty fshihet imja ëndërr
që e rrëfej me mijëra vjet
Si ëndrra jote për një tjetër
nën strehë qerpikësh pret
Pa nuk e nxë siç nuk e zura
anise bota ka një mal ura
Sa e re kjo ëndërr e lashtë
trazon qiejt dhe atje lart
Dhe tokën mbush me akuj zjarr
e dua e dua dhe kur s’ e marr
IMAZHI YT I PAMPOSHTUR
Me perde të errët mbulova dritaret
në pikë të ditës e të natës
I lëshova dhe parmakët
Imazhi yt gjente një vrimë
përbirohej e më shfaqej para syve
Një perde dhe më të errët
për memorien time kërkova
dhe një çelës me dry
Ti shkeve perde theve dryj
e u shfaqe më e bukur se Helena
se Tanusha se ajo Zanë kroni
Shteg tjetër nuk më mbeti
Hapa krahët
Zemrën e shpirtin çela
Dhe në gji të mora
Asgjë s’ kish qenë vapa
ai diell i largët n’ horizont
çka kishe qenë ti
Dimrat e krejt jetës sime
zjarrin e trupit tënd s’ e ngrijnë
AJO QË S’ DO TA MENDOJA
Se më ka harruar ajo e trokitur në dritare
tek sa po flija agut të çdo dite
Se më ka braktisur ajo ëndërr jete
që e ruaja thellë në zemër
Se nuk fluturon para syve të mi ajo grishë Çepuri
dhe fundit të kësaj vere
Se nuk i eci dhe i përgjumur
shtigjet e fëmijërisë sime
Se pritja një ditë nuk do të shpërblehet
me aromën e munguar të lules që s’ jepet
Se jeta
se dashuria
se kujtimi
nuk do të jetojë dhe pa mua
TEK TI DO VIJ
Do kthej kah ti kudo që je
të të shoh në je zgjuar
në je shkundur nga ky shi
nga mungesat që sjellin mërzi
Do kthej do kthej
edhe kur rrugë të ndryshme
përftojmë bëjnë dredhi
Ta shoh veten time në ata sy
në jam ky që e di
ai mali i njomë mbi timen shpi
Një sopatë e ndryshkur bishtajur
shpinën pakëz ma ka thy
dhe malli për ty
Do dal patjetër tek ti do vij
me veten time që banon aty
një kafe ta pij
Thinjat e pritjes t’ i dëboj përsëri
KI ME RIGUE
Nji shi si ky moti e kam andrrue
dhe ty dhe ty moj
tek ai shteg Çepuri
degët tuj m’i shkundllue
Sa gjethe sa puthje sa pika shiu
i u dashkan k’saj zemre
etjen me dëbue
E përkohshme kjo jetë
mallin mallin për me shue
Bjer shi
bjer e mos u ngij me mue
se ajo tash e sheh t’njejtën andërr
qi nji jetë të tanë kam me andrrue
Si k’to riga shiu
ti tek unë ki me rigue
E PADËBUARA MBIN PËRSËRI
Kot përpiqem ta djeg mallin nën diell
ta shtrijë e ta thajë deri në rrënjë
në rërë deti në maje Çepuri
a te Guri i Thatë
Më përvidhet si erë
përmes një reje me gjëmime
më kthehet në shi
nëpër grimca dheu përbirohet
rrudhave të ballit
mbin përsëri
Ushqim i pasosur i mallit tim
je Ti
Ti që s’dëbohesh nga imja thellësi
BRENDA ASAJ ZEMRE MBES
Natën kam me shprazë n’gotë
si atë verë të kuqe t’Flladnikit
e kam me pi përngadalë
hërrpamë për hërpamë
deri në mëngjes
Natën
një ëndërr për ty
kam me mbyllë në sy
deri në hapin tënd
në trokitjen që pres
Brenda asaj zemre të paqtë
përjetshëm mbes
PËRBALLË ASAJ QË NDJEJMË
Nëntë rrathë harrese ma mbështollën vargun
nëntëdhjetenëntë herë mendja më vajti
e më mbeti tek ti
E mrekulluar nga ata sy
ende është aty
Rrethi i dhjetë i harresës as u nis
rrathët e mëparmë u zhbënë
përballë asaj që ndjejmë
E dashur
varg jete më je bë
PËRMES FRYMËS SIME
Shprusha kaçubë më kaçubë
shtigjeve të Çepurit
Si shpend i vetmuar shprusha
Një flatër mëllenje gjeta
një flatër të braktisur
Nga thellësia e qenies
nxora një shtresë zemre
n’ shuplakë e shtriva
dhe shkrova:
“dhe kurrë në mos më kujtofsh
ti mirë e më mirë qofsh
loçka ime”
Përmes frymës sime
andej kah je ti
e nisa
――
Poezitë e këtij cikli janë të shkruara mes viteve 2009 – 2012
*Botuar në: Zemra shqiptare, Lajm, Aktuale, etj.