

NJOFTIM
Më 11.03.2016 (e premte), në Kumanovë mbahet edicioni i XXIV i manifestimit tradicional letrar “TAKIMET POETIKE TË KARADAKUT”:
-Ora 17:00, në Qendrën e Kulturës në Kumanovë, mbahet Ora e madhe letrare me poetë nga të gjitha trojet shqiptare;
-Ora 21:00, në Restorantin “Eliba” në Kumanovë, promovohen librat e autorëve Burhanedin Xhemaili, Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe revista “Doruntina”.
Janë të mirëseardhur të gjithë dashamirët e fjalës së bukur shqipe…
Nga kryesia e Klubit
Sevdail Demiri, kryetar
Informatë nga Kuvendi i 5-të zgjedhor
Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, të dielën, më 31.1.2016, prej ora 15.00, në lokalet e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” – Kumanovë, mbajti Kuvendin e 5-të zgjedhor.
Fillimisht, kryetari Sevdail Demiri paraqiti raport për punën katërvjeçare të Klubit, duke theksuar se përskaj shumë vështirësive, kryesisht të natyrës financiare si dhe mungesës së lokalit, gjatë kësaj periudhe është mbajtur kontinuiteti me të gjitha aktivitetet e parapara tradicionale. Kështu, janë realizuar në nivel të kënaqshëm “Takimet Poetike të Karadakut”, manifestime, tribuna e promovime librash, pjesëmarrje në aktivitete letrare në vend dhe rajon. Gjatë kësaj periudhe, Klubi ka realizuar gjithsej 17 botime, konkretisht 10 libra autoriale dhe 7 numra të revistës së pavarur për kulturë, art dhe shkencë “Doruntina”.
Pas miratimit të raportit, kryetari Demiri, për shkaqe subjektive paraqiti dorëheqjen dhe kërkoi që të lirohet nga obligimet e klubit dhe të zgjidhet një kryesi e re. Mirëpo, gati të gjithë kuvendarët e pranishëm insistuan që kjo kryesi të vazhdojë punën së paku edhe dy vite tjera. Kështu, u miratua vendimi për zgjedhjen e kryesisë në përbërje: Sevdail Demiri – kryetar, Selajdin Shabani – sekretar, Sunaj Raimi dhe Fatos Rushiti – nënkryetarë, Burhanedin Xhemaili – koordinator i aktiviteteve.
Me këtë rast u morën disa vendime, ndërsa me propozim të kryetarit, u formua një komision që do të merret me përgatitjen e monografisë së klubit me rastin e 25 vjetorit të themelimit. Ky komision do të përbëhet nga kryetarët e deritashëm: Bejtush Memeti, Burhanedin Xhemaili e Sevdail Demiri, si dhe në cilësinë e anëtarëve konsulentë: Arben Ibrahimi e Sunaj Raimi.
Kuvendi i mbylli punimet në ora 17:30.
Shkup, 2 dhjetor 2015 – Në prani të një numri të madh të dashamirëve të artit poetik, në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, u promovua libri me poezi ‘Shiu më do mua’, nga autorja Nadire Ismaili.
Për rëndësinë e librit folën redaktori Sevdail Demiri dhe recensenti Ahmet Selmani.
Kurse, autorja tha se me 26 poezitë e botuara në këtë libër modest, ka dashur t’i simbolizojë 26 vitet e jetës së saj.
Gjatë promovimit pati edhe një program të pasur artistik.
Botues është KSH “Jehona e Karadakut”-Kumanovë.
Fjala e kryetarit të KSH “Jehona e Karadakut”-Kumanovë, Sevdail Demiri, në Akademinë Përkujtimore kushtuar muzikologut Zejadin Ismaili (1944 2015):
E nderuara familja Ismaili.
Të nderuar miq e mysafirë.
Ditë më parë, mbetëm pa njeriun shumë të çmuar, i cili i dha aq shumë artit, kulturës, muzikologjisë dhe e shkencës shqiptare në përgjithësi…
Pa dyshim, largimi i tij fizik nga kjo botë, është një humbje e madhe për familjen e tij, për Kumanovën, dhe për gjithë shqiptarinë… Por mbetet e përjetshme vepra e tij, e shkruar në mijëra faqe librash e pentagramesh.
E, Zejadin Ismaili, është pikërisht njeriu, i cili me afër 30 veprat e tij, i dha shpirt e jetëgjatësi artit e kulturës shqiptare.
Të nderuar të pranishëm.
Muzika, kjo vlerë sublime e shpirtit, shumë njerëz, shpesh i ka plandosur dhe i ka hudhur nga ky realitet njerëzor, për t’u lënë të tjerëve vepra dhe vlera të cilat do të lexohen e dëgjohen me ëndje, vite, dekada e shekuj të tërë. Artin e mirëfilltë, artisti nuk mund ta krijojë pa i shtrydhë edhe atomet e fundit të shpirtit.
Zejadin Ismaili, është njëri nga ata njerëz të paktë, i cili tërë jetën ia kushtoi artit muzikor, dhe përmes vuajtjes individuale, kolektivitetit i dha vlera të pazëvendësueshme dhe unikate.
Zejadin Ismaili është njeriu i cili si rrallë ndonjë tjetër, ka arritur që përmes penës së tij dhe talentit të lindur për muzikë, të shpalosë në të njëjtën kohë vlerat më të çmueshme dhe më kulminante të etnosit dhe folklorit tonë të pasur shqiptar. Ai si pedagog, kompozitor dhe studijus i spikatur, me aq mjeshtri arriti të përshkruaj muzikën dhe folklorin e pasur shqiptar në veprat e tij etnomuzikologjike, të cilat janë të rrallat, për të mos thënë të vetmet ndër ne të këtij lloji.
Sferat e interesimit të tij ishin të shumëanshme. Letërsia dhe publicistika, ishin po ashtu dy pika shumë neuralgjike, në fokusin e interesimeve të tij. Përveç qindra kompozimeve, ai shkroi shumë tekste këngësh, për fëmijë dhe të rritur, shumicën nga të cilat i kemi lexuar edhe në shumë nga revistat vendore, me të cilat kishte bashkëpunim të rregullt vite të tëra.
Ndërsa, në sferën e publicistikës dha një kontribut të çmuar, duke shkruar dhjetëra e qindra artikuj nëpër gazeta e revista të ndryshme në Shkup, Prishtinë e më gjerë, përmes të cilave sulmonte dukuritë negative në melosin shqiptar, dhe artikulonte vlerat autoktone popullore shqiptare.
Zejadin Ismaili, ishte njëri ndër njerëzit më aktiv në të gjitha aktivitetet kulturore. Mori pjesë në themelimin, dhe u angazhua në funskionimin e gati se të gjitha institucioneve kulturore shqiptare në Maqedoni, siç janë festivalet, manifestimet kulturore, ansamblet, etj. Ndër to, shquhet angazhimi i tij edhe në themelimin dhe funksionimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë, dhe revistës “Doruntina”, që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, e deri në ditët e tij të fundit. Mendimet, vlerësimet dhe propozimet e tij, për çështje dhe fenomene të ndryshme kulturore, ishin të një rëndësie të veçantë.
Me rastin e 20 vjetorit të “Takimeve Poetike të Karadakut” dhe 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, e nderoi me Mirënjohje të veçantë, për kontributin e tij të dhënë për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare dhe të klubit. Po ashtu, në vitin 2012, klubi ynë e botoi librin e tij të 26-të me radhë, me titull “Hove shpirtërore”, i cila paraqet një mozaik vlerësimesh recensionale të gati gjithë shkrimtarëve shqiptarë të anës së Kumanovës. Ndërsa, ky botim, mbase është edhe antologjia e vetme e këtij lloji për shkrimtarët kumanovarë, të cilët i trajtonte të gjithë njëllojë, pas asçfarë smire apo xhelozie, duke i vlerësuar në bazë të opusit të tyre letrar.
Të nderuar të pranishëm dhe familjarë.
Përmasat e veprës së Zejadin Ismailit në sferën e muzikoligjisë, janë të atij niveli, saqë lirisht mund të themi, se me to mund të mësojnë e të edukohen gjenerata të tëra. Me librat e tij të shkruara me aq kompetencë, gjithmonë do të kenë se çka të mësojnë, jo vetëm se nxënësit e arsimit fillor e të mesëm, por edhe studentët e akademisë dhe ata të studimeve pasdiplomike.
Prandaj, dhimbjen ta shndërrojmë në mirënjohje për veprën e tij, dhe të shkojmë pas vizionit të tij, për një të ardhme më të ndritur dhe më të përparuar të brezave të rinj.
I qoftë i lehtë dheu i Atdheut, dhe Zoti e mëshiroftë.
Ju faleminderit.
Kumanovë, 15.11.2015
VIDEO-LINKU nga lajmi i programit shqip të TVM-së në Shkup, me gazetar Nexhat Aqifi:
http://al.play.mrt.com.mk/play/56156/u-mbajt-edicioni-i-xxiii-te-i-takimeve-poetike-te-karadakut
VIDEO-LINKU – programi i plotë i Orës letrare, TV FESTA – Kumanovë
[youtube height=”auto” width=”auto”]https://www.youtube.com/watch?v=dKmNE0-ZstY&feature=youtu.b[/youtube]
Më 11 dhe 12 mars, mbahet edicioni i XXIII-të i manifestimit kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”:
Më 11.03.2015 (e mërkurë),
~ora 17.00, në Qendrën për Kulturë në Kumanovë, fillon ORA E MADHE LETRARE, me pjesëmarrjen e dhjetëra poetëve nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria;
Më 12.03.2015 (e enjte):
~ora 09.00 – Vizitë varrezave të dëshmorëve në Sopot, Vaksincë, Sllupçan, Orizare, Hotël.
~ora 12.00 – Salla e vogël e Komunës së Kumanovës – TRIBUNË LETRARE me temë: “Letërsia shqipe në epokën e internetit, mes vlerës, kiçit dhe popullaritetit”.
28 Janar 2015 – Ismail Kadare feston sot 79 vjetorin e tij të lindjes. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është një nga më të mëdhenjtë e letërsisë shqiptare, ndërkohë që veprat e tij janë njohur përtej kufijve.
Kadare është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, ai ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj.
Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.
Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga lexuesit.
Shkrimtari shqiptar më i njohur për botën, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Karriera e Ismail Kadaresë
Kadare ka lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960.
Ai detyrohet t’i braktisë studimet për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Kthehet në Shqipëri dhe më pas punon ne gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les letres albanaises”.
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua.
Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar – shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Prince of Asturias, për Artet – që është një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë.
Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.
/Shekulli Online/
NЁ NDЁRRIM MOTMOTESH
Iku edhe një cikël muajsh, për të mos u kthyer kurrë.
Kapela e respektit hiqet mu te porta e dhjetorit,
e kaluara e brisht,shkon duke u lekundur, mposhtet nga lodhjet,
mbyllet gryka kujtimeve në thesar përvoje,
tërhiqet si mbi pyka saji,në një botë imagjinatash!
Viti i Ri ia beh, padjallëzisht i dalldisur në fluska bore ,
goja behar-plot urata dhe dëshira të pa peshuara në mundësi,
me shpresë qe sakrifica të merr çmimin e durimit,
për një vit të mbarë, ku e drejta çmohet e përfillet ,
e ëmbëla të shijohet me dashuri,
bekimi te mbetet roje nderi e miresie,
te mos ndalet fluturimi në krahë të shpresës.
Ky vit të përthej si rreze drite në pafundësi e sytë të shkëlqejnë në lot gëzimi …
Cleveland, 29 Dhjetor 2014