

Kumanovë, 2.2.2020 – Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, sot në lokalet e Shkollës Fillore “Naim Frashëri” në Kumanovë, mbajti Kuvendin e 6-të zgjedhor.
Fillimisht, kryetari i deritashëm, Sevdail Demiri, paraqiti raport për punën katërvjeçare, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe është ruajtur me përpikëri kontinuiteti i veprimit të Klubit, si dhe imazhi pozitiv i krijuar nga të gjithë anëtarët i tij në gati tri dekada me radhë. Janë mbajtur të gjitha edicionet e manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, në çdo 11 mars, shoqëruar me aktivitete përcjellëse (tribuna tematike, promovime librash, vizita), ku kanë marrë pjesë emra të njohur të letërsisë shqipe nga të gjitha trevat shqiptare, dhe janë shpërblyer poetët më të mirë me çmimin “Fadil Bekteshi”.
Në fushën e veprimtarisë botuese, nën siglën e Klubit janë realizuar gjithsej 12 botime (8 libra dhe 4 numra të revistës “Doruntina”), të financuara kryesisht nga Ministria e Kulturës.
Më tej, Demiri theksoi se kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me klubet simotra nga Gjilani, Vitia e Presheva, si dhe me shkrimtarë tjerë nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria, duke marrë pjesë në manifestimet e tyre, si dhe ata duke qenë pjesë e aktiviteteve tona. Në qershor të vitit 2018, e nisëm një aktivitet të ri të klubit, poashtu tradicional – manifestimi kulturor interdiciplinar për të rinj “Pena ime”, ku gërshetohen arti letrar, muzikor dhe ai figurativ.
Pas miratimit të raportit të punës së kryetarit Demiri, u kalua në pikën tjetër – zgjedhja e kryesisë së re të klubit. Pas një diskutimi konstruktiv nga të gjithë kuvendarët, u vendos që kryetar i ri i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, të zgjidhet poeti Fatos Rushiti – profesor universitar, i cili deri më tani ka qenë nënkryetar i klubit dhe mjaft aktiv në të gjitha aktivitetet e deritashme. Ndërsa, përpos kryetarit Rushiti, në kryesinë e re do të bëjnë pjesë: Sunaj Raimi – nënkryetar, Sevdail Demiri – sekretar, dhe Burhanedin Xhemaili e Selajdin Shabani – anëtarë. Poetja Arta Selmani, do të jetë koordinatore e aktiviteteve për të rinj.
Kuvendarët diskutuan për programin e ri zhvillimor të klubit, ku synohet të shtohen edhe aktivitete të reja, siç janë orët letrare nëpër shkolla, promovimi i individualiteteve letrare, etj.
Ndryshe, në punimet e Kuvendit të 6-të zgjedhor të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, morën pjesë shkrimtarët: Bejtush Memeti, Nehas Sopaj, Ismail Ganiu, Burhanedin Xhemaili, Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri, Fatos Rushiti dhe Arta Selmani.
Klubi i Shkrimtarëve të Kumanovës paraqet një ndër organizimet e para të shoqërisë demokratike shqiptare, dhe botuese e revistës së parë të pavarur letrare shqipe në Maqedoni “Doruntina”.
Kumanovë, 16.11.2019 – Kumanova ka pasur dhe do të ketë traditë të krijojë dhe kultivojë talentin individual në muzikë, poezi, tregim, vizatim, pikturë grafikë, skulpturë, dramë, dhe lëmi tjera artistike. Kjo u dëshmua të shtunën në edicionin e dytë të manifestimit interdisiplinar “Pena ime”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kumanovës “Jehona e Karadakut”.
Artistit figurativ Muhamet Idrizi, i’u nda çmimi “Pena e Artë” për vizatim. Në lëmin e artit letrar, poetes nga Prizreni – Liridona Shehu iu nda çmimi “Pena e Artë – vendi i parë, poeti Emrah Bilalli mori vendin e dytë, dhe poeti Mahir Ademi vendin e tretë. Arta Selmanit iu nda çmimi “Pena e Artë” për tregim, ndërsa çmimin inkurajues për më të rinj e mori Erëza Zeqiri, në lëmin e poezisë. Vlerësimi i punimeve letrare u bë nga juria në përbërje: Ismail Bilalli, Ismail Ganiu dhe Arben Ibrahimi, në bashkëpunim me drejtorin e Festivalit, Fatos Rushiti.
Aktiviteti u pasurua edhe më shumë me koncertin solistik të këngëtares së re nga Kumanova, Arijana Jashari, e shoqëruar në piano nga artisti Shpëtim Mustafa. Mysafirë nderi ishte poeti Rrahim Ganiu, i cili ndau me artdashësit kumanovar pjesë nga jeta e tij letrare rinore dhe rrugëtimin e tij artistik për mbi 50 vite.
Drejtori i Festivalit “Pena ime”, Fatos Rushiti, njëherit dhe nënkryetar i KSh “Jehona Karadakut”, tha se ky manifestim në një të ardhme të afërt do të jetë ndërkombëtar me synimin kryesor të promovojë talentin individual në art dhe kulturë. “Ndërtimi profileve të qëndrueshme artistike, jo vetëm në trevat shqiptare të Maqedonisë, por edhe më gjerë, do të jetë një motiv më shumë për të rinjtë që mund të zgjedhin profesione tjera për të studiuar, por që ta kultivojnë letërsinë, artin figurativ, muzikën klasike dhe atë bashkëkohore”, tha Rushiti.
“Pena ime” është pjesë e projekteve vjetore interdisiplinare të mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Xhevat Xh. Latifi
TRIPTIK PËR KUMANOVËN
( Udha e Kumnovës )
Në të dalë prej shtëpisë sime në udhëkryq
Te Kroi i Lekës
Nana e Skifter Arifit, hapëron drejt perëndimit të diellit
Është rruga e Sllupçanit thotë, dhe nuk habitet me përmend Udhën e Kumnovës
Dhe këtë rrugë ajo e bënë çdo ditë
Çdo lindje dielli, çdo festë dhe natën derisa t’i futet gjumit të thellë
Këtë rrugë e ka bërë edhe Idriz Seferi
Në vjeshtën e fundit kur iu futën në këmbë Shkupit!
Te Majat e zeza kësulëbardhat shqiponja në qiell
Atje një nënë që nga pritja bëhet gurë.
( Marrëveshja e Kumanovës )
Njëqind vjet pas golgotës së Kumanovës
Letrat e Trockit, shtrohen si relikte në tavolinë
Një gotë dhe një shishe mbeten të paprekura
Gjenerali Michael Jackson, e nxjerr nga ëndrra gjeneralin Pavkoviq
Ai kafshon buzën me një laps me ngjyrë të kuqe
Bëhet të jetë i dehur, bëhet se po këndon këngën…
Është vonë Janko, të ikim…
Më pas një histori e re nisë të shkruhet
( Orën letrare)
‘E di se unë kam bërë shumë faj’
Dëgjohet baladë roku e Sunaj Raimit
E Azem Shkreli, shkruan të ketë qarë për Arbërinë
Me faj e me vaj, thua:
Sallë dashuria dhe dielli këtë vend e kanë shpëtuar
Sall dashuria dhe dielli këtë vend nga mallkimi e ruajnë
Është sofër Zeusi për rreth me nimfa e zana jeshile dhe blu..
Një ditë keni për të kuptuar se këtë vend e deshti Zoti
Njësoj siç e dua unë e siç e donë ti!
—————————–
P.S. Kjo poezi u vlerësua me Çmimin e Parë Poetik “Fadil Bekteshi”, më 11 mars 2019, në Orën e madhe letrare të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut” – Kumanovë
Kumanovë, 11.3.2019 – Me ngjyra të larmishme poetike nga mbarë trojet tona, edhe këtë 11 mars jehoi poezia shqipe në qendër të qytetit të Kumanovës në edicionin e 27-të të manifestimit “Takimet Poetike të Karadakut”.
Mbrëmja letrare u moderua nga doktori i filozofisë dhe sociologjisë, Sunaj Raimi, i cili në hapje të manifestimit u shpreh: “Sonte jemi mbledhur sërish bashkë për t’i dëshmuar muzave të Apolonit, atyre mbrojtësve të krijimtarisë shpirtërore, që të vazhdojnë t’i mbështesin dhe frymëzojnë poetët tanë”.
Ndërsa, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, Sevdail Demiri, tha se tanimë qe 27 vjet me radhë, ky klub është një nga kultivueset më të denja të kulturës, artit dhe të traditës shqiptare në këto anë. “Ne si klub shquhemi për nga tradita. Një ditë më pare kishim një aktivitet ku shënuam 110 – vjetorin e Klubit Shqiptar të Kumanovës, i cili ishte klubi i parë, shkolla, vatra e parë e arsimit shqip në këto treva, me në krye Jashar Erebarën. Ne themi se aty e kemi bazamentin e arsimit, kulturës shqiptare këtu në Kumanovë me rrethinë, por që e kemi vazhduar pastaj edhe përmes Klubit të shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” dhe aktiviteteve tjera”, potencoi Demiri.
Orën e madhe letrare e hapi poeti preshevar Mexhid Mehmeti, për të vazhduar më tej me poezitë e poetëve: Mimoza Erebara, Dami Iljazi, Isak Ahmeti, Rakela Zoga, Sarë Gjergji, Bilall Maliqi, Bejtush Memeti, Fatos Rushiti, Alketa Spahiu, Eroll Veliu, Hysen Kqiku, Rabije Bytyqi, Arben Ibrahimi, Xhemë Karadaku, Demush Berisha, Behram Hoti, Selajdin Shabani, Rexhep Abazi, Nazmi Beqiri, Ismajl Baftjari, Sunaj Raimi, Rrahim Ganiu, Rexhep Bajrami, Xhevat Latifi, Adriatik Zeqiri, Ismail Bilalli, Avni Shaqiri, Arta Selmani dhe Ali Qerimi.
Një pjesë e poetëve lexuan jashtë konkurencës, ndërsa juria në përbërje: Ejup Ajdini, Burhanedin Xhemaili dhe Ismail Ganiu, i ndanë tre çmimet e para “Fadil Bekteshi”. Kështu, vendi i parë iu nda poetit gjilanas Xhevat Latifi për poezinë “Triptik për Kumanovën”, vendi i dytë poetit kumanovar Fatos Rushiti për poezinë “Grisje e imja”, dhe vendi i tretë poetes korçare Rakela Yzeiri – Zoga për poezinë “Përgjysëm shi”.
Të gjitha poezitë e orës letrare, sikurse edhe punimet e tryezës shkencore “110-vjetori i Klubit Shqiptar të Kumanovës”, do të botohen në numrin e radhës të revistës “Doruntina” (56), organ i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.
Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, ndërsa pjesërisht mbështetet edhe nga komunat e Likovës dhe Kumanovës.
Kumanovë, 10.3.2019 – Edicioni i XXVII-të i manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut – 2019”, sot nisi me tryezën shkencore kushtuar “110-vjetorit të Klubit Shqiptar të Kumanovës” dhe themeluesit të saj Jashar Erebara.
Organizatori dhe drejtuesi i kësaj tryeze, Sevdail Demiri, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që e ka Klubi Shqiptar i Kumanovës në ndërtimin e identitetit kulturor dhe iluminues në mëse 100 vitet e fundit.
Referuesit prof. dr. Avzi Mustafa dhe shkrimtarja e publicistja Mimoza Erebara nga Tirana, sollën të dhëna të thukta dhe mjaft me interes për këtë temë, e cila përmendet me pietet gjithmonë kur bëhet fjalë për shkëndijat e para të arsimit dhe kulturës shqiptare në Kumanovë.
Një nga konkluzionet e tryezës ishte që zyrtarisht të bëhet kërkesë deri te organet komunale të Komunës së Kumanovës, që një shkollë, qendër kulturore-arsimore apo rrugë a bulevard i qytetit, të marrë emrin Jashar Erebara.
Në pjesën e debatit morën pjesë aktive shumë kumanovarë, si Etem Xheladini, Ismet Bexheti, Nazmi Beqiri, Bejtush Memeti, Ismail Ganiu, Sunaj Raimi, Osama Muadini, Qani Haliti, Arben Ibrahimi, etj.), të cilët theksuan rëndësinë e rivlerësimit të rolit të Klubit të Kumanovës dhe iluministit të madh Jashar Erebara.
Manifestimi vazhdon sot (e hënë, 11 mars 2019), prej ora 18:00, në sallën e Shtëpisë së Zejtarëve në qendër të qytetit, ku do të mbahet Ora e Madhe Letrare, me poetë nga të gjitha trojet shqiptare.
Manifestimi i 11 marsit mbahet tradicionalisht në Kumanovë, në shenjë kujtimi dhe nderimi të demonstratave të rinisë studentore të vitit 1981 për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kumanovë, 30.11.2018 – Në këtë nëntor festimesh anembanë trojeve shqiptare, sot u mblodhëm në Kumanovë, për të kujtuar kryeheroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përmes një eventi të veçantë.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, shkrimtari dhe bashkëvendasi ynë, Avni Dehari, përmes penës së tij, na e solli Skënderbeun në një trajtë krejt tjetër – përmes trilogjisë së titulluar “Gjergjat në drita përkrenaresh”, ku bëjnë pjesë romanet për fëmijë: “Dragoi“, “Udhëkryqi” dhe “Flakadanët e lirisë“, botuar nga Shtëpia Botuese “Orfeu” në Prishtinë.
Për veprat folën:
-Shkrimtari dhe teoricieni i letërsisë, dr. Nehas Sopaj;
-Shkrimtari nga Kosova, miku i Kumanovës, z. Nebih Bunjaku;
-Shkrimtari nga Kosova, redaktor dhe botues, z.Rushit Ramabaja;
-Autori prof. Avni Dehari.
Në cilësinë e bashkëorganizatorëve të promovimit, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” (Sevdail Demiri – kryetar), dhe Shtëpia Botuese “Idriz Seferi” (Sevim Ahmeti – drejtor), i ndanë mirënjohje prof. Avni Deharit, për kontributin e dhënë në procese të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, dhe në zhvillimin e arsimit, gjuhës, letërsisë dhe librit shqip.
Kori komunal i Komunës së Likovës “Zejadin Ismaili”, nën udhëheqjen e Florim Zulfiut, në hyrje interpretoi Himnin e flamurit, ndërsa në mbyllje këngën premierë kushtuar heroit të kombit, Ismet Jashari – Komandant Kumanova, me titull “Flamur me emër”.
Në këtë edicion të parë të festivalit “Pena ime”, Syhana Reçi nga Struga, u shpall fituese e “Penës së artë për muzikë”, me veprën e Shumanit “Adagio & Allegro” op.70, ekzekutuar me violë…
Kumanovë, 22.6.2018 – Një freski të re muzikore me tinguj të jashtëzakonshëm të muzikës klasike, sollën para publikut kumanovar, artistët e rinj nga vende të ndryshme të Maqedonisë, në kuadër të natës së tretë të manifestimit interdisiplinar “Pena ime”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova.
Emra të njohur të muzikologjisë shqiptare, si Sihana Badivuku, Blerim Grubi e Besjana Mehmeti, në cilësinë e jurisë profesionale, çmuan lartë performimin e artistëve të rinj, të cilët gjithnjë e më tepër po ngjiten lartë shkallëve të muzikës.
Në këtë edicion të parë të festivalit “Pena ime”, Syhana Reçi nga Struga, u shpall fituese e “Penës së artë për muzikë”, me veprën e Shumanit “Adagio & Allegro” op.70, ekzekutuar me violë. Me vendin e dytë u nderua artisti kumanovar Ismet Vejseli, i cili me zërin e tij të jashtëzakonshëm, interpretoi dy vepra klasike në solo-këndim (kanto). Kurse, vendi i tretë i takoi flautistes nga Tetova, Teuta Emini, me një ekzekutim po ashtu mjaft mbresëlënës. Artistët e rinj me piano i përcolli mjeshtri Shkëlzen Baftiari, kurse u prezantuan shkëlqyeshëm nga përgjegjësja e sferës së muzikës së këtij festivali, Funda Ali, e cila ishte edhe në cilësinë e moderatores.
Këtë koncert me karakter garues, e nderoi me pjesëmarrjen e tij, edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili para muzicientëve të rinj solli edhe lajmin e mirë, për mundësinë që e ofron MASH-i në subvencionimin të tyre në blerjen e instrumenteve muzikore.
Drejtori i manifestimit, Fatos Rushiti, theksoi se përmes këtij aktiviteti, synojmë të instalojmë vlera të reja në këtë mjedis, dhe tendencat janë që vitin e ardhshëm, ky manifestim të merr përmasa ndërkombëtare.
Në përmbyllje të gjithë aktivitetit treditor, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, Sevdail Demiri, u shpreh i kënaqur nga realizimi i projektit, i cili kishte nxitur talentet e reja që të shfaqin afinitetet e tyre artistike në tri fusha specifike, siç janë arti figurativ, arti letrar dhe arti muzikor. Prandaj, theksoi nevojën që ky aktivitet të instalohet si manifestim i përvitshëm tradicional, përmes të cilit njerëzit do të mendojnë më shumë për Kumanovën e artit dhe kulturës, se sa për epitete të zeza që objektivisht nuk i takojnë fare.
Ndryshe, manifestimi “Pena ime”, filloi më 20 qershor 2018, me ekspozitën kolektive artistike në Galerinë e Arteve në Kumanovë, dhe vazhdoi në netët vijuese me festivalin e poezisë, dhe me atë të muzikës klasike. Përpos karakterit garues, ky manifestim më tepër kishte për qëllim që të afrojë mes vete artistët e rinj dhe të nxisë përsosjen e tyre artistike në fusha të caktuara, duke ndërthur mes vete më shumë sfera.
Manifestimi “Pena ime”, është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.
-Të enjten (21 qershor 2018), vazhdoi nata e dytë e manifestimit “Pena ime”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, e cila ishte e rezervuar për poezinë.
Defiluan dhjetëra poetë nga vende të ndryshme të Maqedonisë, të cilët me krijimet e tyre më të reja artistike, i dhanë imazh të ri mbrëmjes.
Juria profesionale, në përbërje: Salajdin Salihu, Ahmet Selmani dhe Sunaj Raimi, kishin vendosur që tre vendet e para t’ua ndajnë poetëve: Daim Miftari nga Gostivari (“Pena e artë për poezi” – Vendi i Parë), Kreshnik Sopaj nga Kumanova (“Pena e artë për poezi” – Vendi i Dytë), dhe Arlind Farizi nga Tetova (“Pena e artë për poezi” – Vendi i Tretë), kurse çmimin inkurajues – poetit të ri kumanovar, Epirot Ferati.
Drejtuesi i manifestimit Fatos Rushiti dhe sekretari i klubit, Selajdin Shabani, theksuan nevojën e mbajtjes së këtij festivali poetik, i cili mëton të jetë tradicional dhe të instalojë standard të ri krijues në këto hapësira.
Festivalin e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Likovës, z.Erkan Arifi, si një mbështetës permanent dhe inkurajues i të gjitha zhvillimeve kulturore në këtë trevë.
Festivali u zbukurua me muzikën e përzgjedhur nga artistja e re Funda Ali, dhe zëri i këndshëm i Ismet Vjeselit, ndërsa ambienti u zbukurua me punimet figurative, nën kujdesin e Hanife Islamit.
Edicioni i parë i manifestimit kulturor interdisiplinar “Pena ime” në Kumanovë, filloi më 20 qershor 2018 me hapjen e ekspozitës kolektive të 23 artistëve. Hapjen e manifestimit e bëri ministri i Kulturës, Asaf Ademi.
Në natën e tretë dhe të fundit të këtij manifestimi, (e premte, ora 19:30, te Shtëpia e Kulturës në Kumanovë), në program është muzika klasike, ku artistët e rinj do të performojnë vepra të papërsëritshme.
Kumanovë, 20.6.2018 – Të mërkurën në Kumanovë filloi edicioni i parë i manifestimit kulturor “Pena ime” në Kumanovë, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”.
Drejtori i manifestimit, Fatos Rushiti, tha se përmes festivalit “Pena ime”, synojmë t’i sfidojmë artistët, e sidomos ata të gjeneratave më të reja, që të tregojnë vlerat e tyre të pashprehura. “Në konkursin e shpallur për në sferës e artit figurativ, letrar dhe muzikor, pati qindra aplikime, gjë që dëshmoi se për një manifestim të tillë interdisiplinar në Kumanovë, vërtetë pati nevojë!”, u shpreh Rushiti.
Në hapje të ekspozitës, si aktivitet i parë i këtij projekti interdisciplinar, morën pjesë shumë artistë dhe artdashës. Manifestimin e shpalli të hapur ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë, Asaf Ademi, i cili theksoi nevojën e mbështetjes së aktiviteteve të tilla kulturore, të cilat nxisin konkurrencën pozitive në mes artistëve dhe shtojnë vlerat e tyre artistike.
Ndryshe, në konkursin e artit figurativ u paraqitën gjithsej 23 artistë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë, si nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Ohri dhe Kumanova. Në këtë ekspozitë janë përfshirë piktura, grafika dhe skulptura. “Idetë që i preokupojnë artistit e rinj janë ti ndryshme dhe varirojnë nga realja, abstraktja, ekspresionizmi dhe hiper-realizmi. Janë artistë që pretendojnë ta ruajnë vlerën e mirëfilltë artistike si dhe origjinalitetin e shprehjes së tyre”, tha piktori akademik Rexhai Hyseni-Xhai.
Juria kishte vendosur që “Pena e artë për pikturë”, t’i takojë autores Afërdita Kiki, për pikturën “Pa titull”, e punuar në teknikën akril në pëlhurë; “Pena e artë për grafikë”, iu nda Naim Idrizit, për grafikën me titull “Saksofonist”, punuar në akualintë; dhe “Pena e artë për skulpturë” iu nda Ardian Kadriut, për skulpturën me titull “Gorgu”, punuar me gips të patinuar.
Manifestimi vazhdon të enjten (21 qershor 2018) me festivalin e poezisë dhe të premten (22 qershor 2018) me eventin kushtuar muzikës. Në këto dy net, ngjarjet zhvendosen në Shtëpinë e Kulturës në Kumanovë, me fillim në ora 19:30.