

30-VJETORI I TAKIMEVE POETIKE TË KARADAKUT NË KUMANOVË
Kumanovë, 11.03.2021 – Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, sot zhvilloi edicionin e XXIX-të të manifestimit tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, i cili nga viti në vit po krijon një reputacion të respektuar në komunitetin tonë kulturor.
Kryetari i klubit, Fatos Rushiti, duke ju uruar mirëseardhje mysafirëve, theksoi sakrificën e idealistëve të parë të cilët në kushte jo shumë të favorshme, para gati tri dekadave, themeluan këtë klub, për të renditur një varg veprash dhe suksesesh deri në ditët e sotme.
Më pas nën drejtimin e poetit Ali Qerimi, u mbajt Ora e madhe letrare, ku morën pjesë poetë të shumtë nga vendi dhe rajoni, si: Ejup Ajdini, Ismail Baftjari, Burhanedin Xhemaili, Gerta Bandilli, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Sarë Gjergji, Leonora Bruçaj Keka, Flora Peci, Farida Ramadani, Marinela Sela, Sermet Sulejmani, Selvete Abdullahu, Arsim Halili, Ismail Ganiu, Rexhep Bajrami, Etem Xheladini, Selajdin Shabani, Sunaj Raimi, Adem Abdullahun, Arta Selmani, Shpresa Jashari, Emra Bilalli, Era Qerimi, etj.
Manifestimin e përshëndeti poetja dhe njëherësh kryetare e Këshillit të Komunës së Kumanovës, Atina Murgashanska.
Juria letrare në përbërje: Eris Rusi – kryetar, Daim Iljazi dhe Rabije Bytyqi – anëtarë, kishin vendosur që vendin e parë me Çmimin “Fadil Bekteshi”, ta laureojnë shkrimtarin nga Kumanova Burhanedin Xhemaili me poezinë “Në ëndërr”, me vendin e dytë poetin Ejup Ajdini nga Tetova me poezinë “Lot gjaku nën dritën e hënës”, dhe me vendin e tretë poeten Leonora Bruçaj Keka nga Prishtina me poezinë “Vitor i andrrës t’eme”.
Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe promovimi i botimeve të fundit të KSH “Jehona e Karadakut”, për të cilat në pika të shkurtra foli promotori – redaktori i tyre Sevdail Demiri. Konkretisht u promovuan: revista “Doruntina” (nr .58-59), libri “Kulla jonë” (Panoramë e poezisë kumanovare), “Përtej heshtjes” (poezi) nga Selajdin Shabani, dhe libri “Aforizma pragmatik” nga Sunaj Raimi. Poashtu u promovua edhe libri autorial – trilogjia “Vallja e vdekjes së verdhë” nga Nehas Sopaj, për të cilin një recension e paraqiti kritiku letrar Burhanedin Xhemaili.
Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht nga komunat e Kumanovës dhe Likovës.
Të nderuar artdashës dhe pjesëmarrës,
Drejtoria e manifestimit interdiciplinar “Pena ime”, në kuadër të Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, ju njofton se thirrjes së konkursit publik në artin e fotografisë dhe tregimit të shkurtër në edicionin e tretë të këtij manifestimi, iu përgjigjën një numër i konsiderueshëm i konkurrentëve të rinj të moshës 18 deri në 33 vjeçare, nga shumë vise shqiptare.
Për shkak të rrethanave specifike me pandeminë, sivjet ky manifestim u realizua në mënyrë elektronike.
Në lëmin e fotografisë artistike, kishte një mori konkurrentësh të cilët me invencionin e tyre paraqisnin realitete të ndryshme objektive dhe imagjinare. Juria profesionale në përbërje: Burhan Ameti, Ilhan Osmani dhe Dali Alili, bëri vlerësimin e çmimeve “Pena e Artë” – për fotografi artistike:
Në lëmin e tregimit, juria në përbërje nga shkrimtarët: Petrit Palushi, Burhanedin Xhemaili dhe Istref Haxhillari, pas leximit dhe shqyrtimit me kujdes të të gjitha tregimeve të arritura, bëri këtë vlerësim për tregimin më të mirë:
Drejtoria e manifestimit interdiciplinar “Pena ime”, i falënderon të gjithë pjesëmarrësit, të cilët ishin në nivelin e duhur të krijimtarisë, duke i inkurajuar që të vazhdojnë edhe më tej përsosjen e tyre artistike në sferat përkatëse.
Me respekt të veçantë,
Fatos RUSHITI, drejtor
Kumanovë, 20.12.2020
Stamboll, 3.12.2020 – Në Stamboll të Turqisë, përkatësisht në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut që gjendet në këtë metropol botërore, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, prezantoi botimet e tij të fundit, në përputhje me protokollet e pandemisë.
Ngjarja u hap nga drejtori i Qendrës, Ramadan Ramadani, i cili theksoi rëndësinë e veprimtarisë së pandërprerë të këtij klubi në fushën e letërsisë për gati tri dekada. Bartësi i projektit, Sevdail Demiri, foli për botimet e fundit të klubit, dhe në veçanti për përmbledhjen e poezisë kumanovare “Kulla jonë”, e cila promovimin e parë po e përjeton pikërisht në Stamboll.
Kryetari i klubit, Fatos Rushiti, u ndal në veprimtarinë e klubit, i cili përpos botimeve, shquhet edhe për nga kontinuiteti i “Takimeve Poetike të Karadakut”, dhe revistës “Doruntina”. Për botimet e tyre të fundit dhe rëndësinë e promovimit të tyre jashtë vendit, folën edhe autorët Sunaj Raimi dhe Selajdin Shabani.
Në promovim morën pjesë konsulli i përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Aktan Ago, profesorë nga Universiteti i Stambollit, aktivistë e bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Turqi, etj.
Ndërsa, promotorët i ndanë mirënjohje për bashkëpunim, Ramadan Ramadanit – drejtor i QK në Stamboll, dhe gazetares Linda Guler – udhëheqëse e radios “Zëri i Shqiptarëve” në Turqi.
Të gjitha botimet e fundit të klubit, iu dhuruan Qendrës Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Stamboll, e cila së shpejti do të hapë edhe bibliotekën e saj. Projekti “Letërsia jonë në mesin e bashkatdhetarëve”, ishte pjesë e programit vjetor të projekteve të Ministrisë së Kulturës për vitin 2020.
K O N K U R S
për pjesëmarrje në edicionin e tretë të manifestimit
“PENA IME – 2020”
Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”– Kumanovë, fton të rinjtë e interesuar nga mosha 18 deri në 33 vjeçare, nga të gjitha trojet shqiptare, që të marrin pjesë në edicionin e tretë të manifestimit interdisiplinar “PENA IME – 2020” – festival i profilizuar për art figurativ, letrar dhe muzikor, që do të mbahet online me datë 20 dhjetor të këtij viti.
Për shkak të rrethanave specifike me pandeminë, sivjet konkursi do të përfshijë vetëm lëmin e artit figurativ dhe atij letrar, gjegjësisht fokusi do të jetë tek fotografia dhe tregimi.
Pena e Artë për fotografi artistike:
Pena e Artë për tregimin më të mirë:
-Kriteret për fotografinë artistike:
-Kriteret për tregim:
Për informacione shtesë në lëmin e fotografisë: tel. 071723272 (Muhamedali Alili). ndërsa për tregimin: tel. 071260841 (Fatos Rushiti).
Me respekt të veçantë,
Fatos RUSHITI, drejtor
Të premten (25 shtator 2020), në Korçë të Shqipërisë, pranë Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë të Universitetit “Fan S. Noli”, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Bota e Re”, u bë prezantimi i katër profileve letrare të autorëve nga Kumanova, Fatos Rushiti, Sunaj Raimi, Sevdail Demiri dhe Selajdin Shabani.
Në një ambient të hapur, para studentëve të letërsisë, pedagogëve, rektorit Prof.Dr. Dhimitri Bello, shkrimtarëve nga Korça, Pogradeci dhe Elbasani, dhe shumë dashamirëve tjerë, poezitë e autorëve kumanovarë u lexuan nga aktorët e njohur shqiptar, si Klaudeta dhe Petrika Riza, poetet Gerta Bandilli dhe Katerina Çifligu, si dhe nga studentë të letërisë.
Një potencial poetik dhe një shkollë në vete letrare, kështu u cilësua krijimtaria poetike e poetëve kumanovarë nga dekania e Fakultetit të Edukimit e Filologjisë, studiuesja e njohur, Prof. Dr. Jonela Spaho.
“Të lexoja librin me poezi dashurie të titulluar “Kurorë” të z. Fatos Rushiti dhe jam befasuar nga potenciali poetik i jashtëzakonshëm, nga shprehësia emocionale dhe lirshmëria me të cilën çelet shpirti poetik në këtë poezi. Dhe padyshim që për poetët tanë në Korçë dhe më gjerë poezia e këtyre poetëve është një shkollë në vete letrare, dhe më vjen mirë që ky aktivitet sot bëhet jo vetëm para drejtuesve të Universitetit por dhe pedagogëve, para shkrimtarëve të Klubit “Bota e Re” dhe studentëve të letërsisë të cilët do të kenë një dritare të re, një emocion të ri për këtë poezi kaq të mrekullueshme’, tha para të pranishmëve Dr. Spaho.
Nikoqiri tjetër i këtj aktiviteti, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”, Prof. Dr. Eris Rusi, tha se njohja me poetët nga Kumanova është një njohje surprizuese që do të forcojë lidhjet e bashkëpunmit dhe komunikimit.
“Unë kam besimin që letërisa që po promovojmë sot është një letërsie që mund të konsiderohet si një lloj pasqyre ku ne e shohim të reflektuar njeriun në lirinë e tij, ku inati dhe mbetja janë të zëvendësuara me bekimet e një shqipe të embël dhe të pastër që e bëjnë interesante jetën e secilit prej nesh. Zemra që është e ushqyer me këtë lloj letërsie nuk është më e ngushtë dhe e kërrusur por afrohet dhe kërkon zemra të tjera”, tha mes tjerash Eris Rusi.
Nga ana tjetër kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, Dr. Fatos Rushiti, shfrytëzoi rastin që në kuadër të këtij aktiviteti letrar t’ia dorëzojë Plaketën për Çmimin e parë “Fadil Bekteshi”, poetit të njohur nga Shqipëria, Skënder Rusi, çmim ky i fituar në Manifestimit letrar “Takimet Poetike të Kardakut – 2020”. Para të publikut artëdashës korçar Fatos Rushiti tha se ne shqiptarët e kemi kaluar më fazën idealiste, fazën e dashurisë së atdhet dhe dashurisë ndaj njëri tjetrit. Siç vuri theksin ai tani ësshtë koha për manifestime profesionale që do të vinin në pah vlerat tona krijuese si shqiptar para kombeve tjera.
Fatos Rushiti bëri të ditur dhe lidhjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes dy klubeve, atij “Jehona e Karadakut” nga Kumanova dhe “Bota e Re” nga Korça.
“Letë të jetë kjo një uvertyrë, një premisë e një bashkpunumi mes dy klubeve që do të vazhdoj me aktivietete tjera të përbashkëta letrare, me botime dhe aktivitete tjera kulturore mes krijuesve të këtyre dy qyteteve ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarët”, tha Rushiti. Siç kumtuan drejtuesit e dy klubeve, në pranverë të vitit të ardhshëm para artdashësve në Maqedoni do të bëhet prezantimi i disa profileve letrare nga Korça.
Leximi i poezisë kumanovare u bë nën shoqërimin me kitarë të kantautorit nga Korça, Maksi Kulla, i cili interpretoi disa dhe disa këngë duke e berë atmosferën muzikore më të ngrohtë. Një shfaqje mbresëlënëse muzikore pati dhe poeti dhe profesori i njohur universitar, Sunaj Raimi, me disa nga hitet e këngës rok nga Kumanova.
Ndryshe poetet nga Kumanova bashkë me poetët korçar bënë një vizitë në vendbanimin mesjetar të Voskopojës dhe vizitë me miqtë poetë në qytetin e Pogradecit në shtatoret e poetëve të mëdhenj shqiptarë, Lazgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli.
Gusht 2020 – Klubi i Shkrimtarëve ”Jehona e Karadakut” nga Kumanova, doli me një botim të ri të rëndësishëm për letërsinë bashkëkohore dhe kulturën shqiptare në përgjithësi Maqedoninë e Veriut, me një panoramë të poezisë kumanovare shqipe të titulluar ”Kulla Jonë”, përgatitur nga Sevdail Demiri.
Ai në rrjetin social fcb shkroi: “Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me kolegët e nderuar të redaksisë: Bejtush Memeti, Burhanedin Xhemaili, Selajdin Shabani (Lajdins Habani) dhe Fatos Rushiti, arritëm që t’i portretizojmë në një vend 48 autorë të kësaj ane, një pjesë e të cilëve janë poetë të njohur mbarëkombëtarë. Të gjithë janë prezantuar veç e veç me disa nga poezitë e tyre më të mira, bio-bibliografi dhe fotografi. Si i tillë, ky libër paraqet një letërnjofim letrar të kësaj treve periferike të botës shqiptare, i cili do të duhej të jetë pjesë e të gjitha bibliotekave tona, si një trashëgimi kulturore – letrare e cila do të duhet të përcillet tek gjeneratat e reja”.
Përmbledhja hapet me poetin e ndjerë Asllan Selmani për të vazhduar më pas me shumë emra të njohur të penës kumanovare, si i ndjeri Fadil Bekteshi, kryetar i parë dhe njëri ndër themeluesit e këtij klubi, pastaj Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Mumin Zeqiri, Avni Dehari, Burhanedin Xhemaili, Nehat Jahiu, Zejnure Salihu, Arben Ibrahimi, Selajdin Shabani, deri tek më të rinjtë Kreshnik Sopaj e Arta Selmani.
Libri ka 260 faqe, me një dizajnim të mrekullueshëm nga mjeshtri Bekim Saliu, dhe është i përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Të interesuarit, librin në fjalë mund ta gjejnë në Librarinë ABC në Kumanovë: https://www.facebook.com/abclibraryfcb/
Likovë, 21.6.2020 – Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova, në teren të hapur në amfiteatrin e Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, organizoi edicionin e 28-të me radhë të manifestimit tradicional kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”.
Kryetari i Klubit, Fatos Rushiti, në fjalën e tij u shpreh se nuk janë pak plotë 28 vite që Klubi ynë me plot vullnet dhe dëshirë mbledh shumë poetë e poete anembanë trojeve shqiptare, duke i dhënë tradicionalitet, ndjeshmëri e shije të lartë estetike rrjedhës së këtij manifestimi. “Profesionalizmi, paanshmëria, mikpritja, vlerësimi adekuat, tingujt e pianos dhe kitarës, jehona e poezisë kumanovare ndër krijues të mirëfilltë shqiptarë, dhe jo vetëm, kanë bërë qe ky manifestim të merr vëmendjen e duhur nga vetë institucionet shtetërore në shtetin tonë dhe të përkrahet në vazhdimësi”, u shpreh Rushiti.
Në kujdesin e poetëve të rinj, Emra Bilalli dhe Arta Selmani, u lexuan artistikisht dhjetëra krijime letrare të poetëve nga mbarë hapësira shqiptare, si: Skënder Rusi (Korçë), Rakela Zoga (Selanik), Nexhat Çoçaj (Prizren), Behare Neziri (Tetovë), Sabit Rrustemi (Gjilan), Majlinda Toma (Lezhë), Farida Ramadani (Shkodër), Bilall Maliqi (Preshevë), Agim Bajrami (Durrës), Abdurrahman Thaçi (SHBA), Nijazi Ramadani (Gjilan), Ejup Ajdini (Tetovë), Arben Rashkaj (Prizren), Kujtim Morina (Tiranë), Berat Baftiu (Prizren), Arjan Kallço (Korçë), Sarë Gjergji (Viti), Liridona Shehu (Prishtinë), Eduard Konica (Athinë). Ndërsa, nga poetët vendas që ishin prezent, poezi lexuan: Burhanedin Xhemaili, Arben Ibrahimi, Sunaj Raimi, Ismail Ganiu, Nuri Rexhepi-Dana, Selajdin Shabani, Sevdail Demiri, Kreshnik Sopaj, Shpresa Jashari, Arta Selmani, Emra Bilalli,
Më pas juria në përbërje: Sunaj Raimi, Arben Ibrahimi dhe Selajdin Shabani, u përcaktuan për këto poezi më të mira, të cilat u nderuan me Çmimin “Fadil Bekteshi”. Vendi i parë i takoi poetit korçar Skender Rusi me poezinë “Ditë pa mëngjes”, vendi i dytë poetit kumanovar që jeton dhe vepron në SHBA, Abdurrahman Thaçi, për poezinë “Nga të shkoj”. Ndërsa, në çmimin e tretë u vlerësuan poeti gjilanas Nijazi Ramadani për poezinë “Amaneti i nanës”, si dhe poeti kumanovar Kreshnik Sopaj për poezinë “Ana ime”.
Në pjesën tjetër të manifestimit, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, Fatos Rushiti, ndau disa plaketa, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për angazhimin dhe bashkëpunimin e suksesshëm. Plaketë iu nda ministrit të Kulturës, Hysni Ismaili, për mbështetjen e manifestimit; botuesit të gazetës kulturore-letrare nga Tirana “Nacional”, Mujo Buçpapaj, për kontributin e tij në përkrahjen e autorëve nga Kumanova dhe mbarë hapësirën shqiptare në gazetën që drejton; drejtorit të Agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti, si dhe një plaketë e veçantë iu nda ish-kryetarit të Klubit, Sevdail Demiri, për kontributin e tij në udhëheqje për tetë vite me Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Kardakut” dhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me klubet letrare në Preshevë, Gjilan, Viti dhe Tetovë. Një mirënjohje iu nda edhe Gjimnazit “Ismet Jashari” në Likovë, për bashkëpunimin shumë miqësor dhe korrekt në organizimin e këtij manifestimi.
Programi u përcoll nën tingujt e pianos së profesorit të muzikës, Eroll Ganiu, ndërsa të pranishmit patën rastin të marrin edhe botimin më të ri të Klubit, numrin 58 të revistës tradicionale kulturore “Doruntina”.
Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbahen për çdo 11 mars për nderë të kujtimit të demonstratave të ’81-shit të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, edhe përkundër përgatitjeve me kohë, që ky manifestim të mbahej më 11 mars 2020, u shty për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike.
Manifestimi i përvitshëm “Takimet Poetike të Karadakut” u përkrah financiarisht nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht edhe nga komunat e Likovës dhe Kumanovës.